Politike

Kuvendi i 1991, koha kur PD-ja kërkonte kryetar për tu bërë lider

“Më 28 shtator 1991 përfundoi Kuvendi i parë Kombëtar i Partisë Demokratike. Zgjati dy ditë, pati vëmendje të madhe publike dhe mbi të gjitha, është dhe mbetet Kuvendi i vetëm ku pati garë reale dhe cilësore për zgjedhjet për kryetar dhe kryesi”, thuhet në një analizë të Institutit për Studime Politike.

Për kryetar konkurruan Berisha, Pashko dhe Hajdari, kurse për kryesi zgjedhjet u zhvilluan me votim nga kongresi/kuvendi.

“Kryetari dhe anëtarët e kryesisë kishin të njëjtin legjitimitet votash, çfarë krijoi politikanë me profil të lartë politik. Dy kandidatët që humbën garën për kryetarë i njohën rezultatet, Berisha u bë kryetar dhe Ceka qëndroi kryetar i grupit parlamentar.

Në atë kohë statuti i PD përcaktonte kufizime me dy mandate (secili nga 2 vjet) për kryetarin, pra në total 4 vjet”.

Sipas të dhënave të ISP, më 1993 rregulli u ndryshua dhe zgjedhjet për kryetar më 1995, 1996, 1997, 1999, 2001, 2003 dhe deri më 2013 u bënë thuajse formale, me kandidatë formalë ose të emëruar.

“Më 2013 pati rivalitet, por me diferencë midis dy kandidatëve, situatë thuajse e njëjtë edhe për 2017, ndërkohë që në formë më minimale u shfaq edhe më 2021”.

“A ishin partitë më demokratike më 1991 sesa më 2021? A ishim më “demokratë” ku sapo dolëm nga sistemi njëpartiak apo sot kur kemi mbi 130 parti dhe liri më të madhe mendimi e veprimi? Shoqëria ka ndryshuar, partitë kanë ndryshuar dhe një prej tipareve të tyre që ka ndryshuar në vite është sensi i përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Në fillimet e tranzicionit partitë mbanin përgjegjësi dhe jepnin llogari publike, por tri dekada më vonë, partitë nuk janë as transparente dhe as pranojnë llogaridhënie. Nga parti – fronte që kërkonin një kryetar për tu bërë lider, partitë u kthyen në parti-lider që kërkojnë anëtarë mbështetës për tu bërë parti elektorale”, shkruan ISP.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se kjo kurbë kritike është një alarm dhe sinjal i fortë për nevojën jetike për reformimin e legjislacionit të partive politike, për jetësimin e demokracisë së brendshme tek partitë.

“Partitë që nuk janë demokratike nga brenda nuk mund të sjellin demokraci në shtet dhe shoqëri, ashtu siç edhe partitë që nuk respektojnë votën brenda tyre nuk e kanë respektuar dhe as nuk mund të jenë garant për votën qytetare në zgjedhjet parlamentare e lokale”, shkruan ISP.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë