Katër diplomatë dhe një dokument për qarkullim të brendshëm në Bashkimin Europian pohojnë se Brukseli nuk është më në gjendje që të ofrojë asnjë garanci për anëtarësim për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Sipas dokumentit dhe deklaratave të katër diplomatëve, që kanë folur për Reuters në kushte anonimati, Bashkimi Europian është përfshirë në një sherr të madh të brendshëm që i paraprin samitit të udhëheqësve të 6 tetorit. Reuters e përshkruan këtë përplasje mes vendeve anëtare si pika më e ulët e strategjisë së BE-së për të afruar Ballkanin Perëndimor, e cila përkon edhe me shpërthimin e tensionit në Veri të Kosovës.
Dokumenti, thotë Reuters, parashikon që BE në samitin e 6 tetorit të përsërisë premtimin 18-vjeçar për “perspektivën europiane të rajonit”. Deklarata e përbashkët është hartuar më 11 shtator dhe u është shpërndarë vendeve anëtare të bllokut. Por, siç thotë Reuters, edhe pse përmbajtja e dokumentit nuk ka asnjë dallim thelbësor në krahasim me deklaratat e viteve të kaluara pas shtatë raundesh bisedime nuk ka një marrëveshje.
Reuters thotë se janë vende si Franca, Holanda dhe Danimarka që duket se kanë hequr dorë nga premtimi për të anëtarësuar Ballkanin Perëndimor, duke iu trembur përsëritjes së një skenari të nxituar si ai i pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007, që pasoi një emigrim të pakontrolluar nga këto dy vende në drejtim të vendeve më të pasura të Europës Perëndimore.
Bullgaria nga ana tjetër është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut duke cituar çështje identiteti, kulture dhe gjuhe.
Reuters thotë se edhe nëse në fund bihet dakord për një deklaratë të përbashkët, përplasja pasqyron paralizën në planin e BE -së për të mbyllur rrethin e anëtarësimeve dhe krijuar një hapësirë të vetme përgjatë Mesdheut verior.
Nga kjo, thotë Reuters, po përfiton Kina dhe Rusia që po rrisin ndikimet e tyre përmes investimeve. Në janar, Serbia ishte vendi i parë europian që mori vaksina kineze COVID-19 për vaksinim masiv. BE -ja gjithashtu po i përkeqëson në mënyrë indirekte tensionet në rajonin prej 20 milionë banorësh, thonë diplomatët, sepse qytetarët e Ballkanit ëndërronin të bashkoheshin me BE-në pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Zhgënjimi nga kjo ëndërr mund të sjellë përqafimin e nacionalizimit dhe rrezikojë paqen e brishtë dhe si shembull, Reuters përmend tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Në ndalesën e saj të parë në Shqipëri, von der Leyen tha se i qëndronte zotimit se “e ardhmja e Shqipërisë është në BE”. Por besueshmëria e BE -së është dëmtuar, veçanërisht pasi Franca dhe Holanda ndaluan përkohësisht procesin e zgjerimit dy vjet më parë dhe tani atë po e bllokon Bullgaria.
Kosova dhe Serbia ndihen të zhgënjyera nga Shtetet e Bashkuara, pasi u ftuan në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump për të nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, vetëm për ta parë atë të dështojë, ndërsa BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin për të lejuar udhëtimin pa viza të Kosovës.
Shtetet pro-zgjerimit, përfshirë Austrinë, Italinë, Kroacinë, Slloveninë dhe vendet baltike, i akuzojnë Gjermaninë dhe Francën për dështimin për të bërë presion ndaj Bullgarisë për të hequr veton e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje