Bota

Tunizia do të ketë një kryeministre grua, hera e parë për një vend arab

Një kryeministre për Tunizinë. Presidenti tunizian, Kais Saied njoftoi se kishte udhëzuar Najla Bouden të formonte qeverinë, duke specifikuar se objektivi kryesor do të ishte “lufta kundër korrupsionit”.

Është hera e parë në botën arabe që një grua është zgjedhur për këtë post. Sidoqoftë, e zgjedhura do të duhet të punojë shpejt.

Kreu i shtetit, të cilin armiqtë e tij e quajnë “tuniziani Al Sisi”, theksoi se Tunizia ka humbur kohë të çmuar, pasi disa njerëz kanë transformuar institucionet shtetërore në “arena” në të cilat duhet të ballafaqohen.

25 korrikun e kaluar, ndërsa vendi ishte i pushtuar nga një krizë serioze ekonomike dhe një valë infeksionesh Covid, Saied kishte shkarkuar kryeministrin Hichem Mechichi dhe kishte pezulluar punën e Parlamentit. Një vendim që ishte quajtur “grusht shteti kundër revolucionit” nga partia e moderuar islamike Ennahda.

Pastaj, më 22 shtator, me një dekret, Saied forcoi më tej kompetencat e Presidencës, në dëm të qeverisë dhe Parlamentit, të cilat ai në fakt do t’i zëvendësojë duke e miratuar me dekret.

Tani për tani, nuk dihet shumë për kryeministren e parë grua. Ajo ka lindur në vitin 1958 dhe ka qenë lektore e Gjeologjisë në Shkollën Kombëtare të Inxhinierëve ENIT të Tunizit dhe mbante postin e Drejtoreshës së Përgjithshme dhe Shefes së Njësisë të Menaxhimit të Projektit të Modernizimit të Arsimit të Lartë në mbështetje të punësimit, para se të mbante pozicionin e Zyrtares së Politikave në Kabinetin e Ministrit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Chiheb Bouden, në vitin 2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë