Bota

Zv/presidentja e Parlamentit Europian kryeson opozitën kundër Orbán në Hungari

Klara Dobrev, një juriste 49-vjeçare, nënkryetare e Parlamentit Europian dhe e vetmja grua e kandidate për kryeministër nga radhët e opozitës në Hungari, mund të jetë personi do të dalë përballë Viktor Orbanit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022. Sipas disa rezultateve paraprake, ajo lë prapa kandidatin kryesor të mëparshëm të opozitës, kryebashkiakun e Budapestit, Karacsony, në garën për drejtimin e opozitës.
Bazuar në rezultatet e gati gjysmës së zonave, Dobrev, kandidatja për kryeministër e krahut të majtë, të Koalicionit Demokratik, e cila ka gjithashtu marrdhënie më të ngushta me Bashkimin Europian, kryeson me rreth 33.7% të votave dhe Karacsony është i dyti me rreth 29%.
Dobrev, ka premtuar të ulë varfërinë dhe të punojë për adaptimin e euros sa më shpejt të jetë e mundur. Karacsony gjithashtu ka bërë fushatë në një axhendë pro-evropiane. Ai ka premtuar një sistem më të drejtë tatimor dhe zhdukjen e ndasive politike.
Gjashtë partitë që përfshijnë socialistët, partinë e Koalicionit Demokratik, liberalët dhe Jobbik-un e së djathtës ekstreme, kanë formuar një front të bashkuar kundër kryeministrit aktual Orbán për zgjedhjet parlamentare të vitit 2022 për herë të parë që kur ai erdhi në pushtet në vitin 2010.
Orban dhe partia e tij Fidesz kanë qenë në pushtet kryesisht për shkak të një sistemi zgjedhor që favorizon partitë e mëdha. Opozita e ndarë nuk mundi të bashkonte forcat në tre zgjedhjet e fundit kombëtare.
Por këtë herë pritet të jetë ndryshe, duke u dhënë shpresë votuesve të opozitës që dolën në numër më të lartë se sa pritej në zgjedhjet paraprake, me më shumë se 633,000 njerëz që votuan në Budapest dhe në 106 zona elektorale në shkallë vendi.
Sondazhet e opinionit vënë Fidesz dhe koalicionin opozitar kokë më kokë, duke ngritur perspektivën e zgjedhjeve me rezultatet më të ngushta në më shumë se një dekadë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë