Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar këtë të premte në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet dhe shtesat në ligjin për “vetëqeverisjen vendore“.
Ish-deputetja Silva Caka u shpreh për mediet se ndryshimet në ligjin për qeverisjen vendore, tjetërsojnë kompetencat e Këshillit Bashkiak në lidhje me tjetërsimin e pronave publike dhe dhënien e tyre në përdorim ndaj personave të tretë.
Sipas saj, ky ligj rrit mundësinë e abuzivizmit nga kryetarët e Bashkive si dhe kryetarët e Këshillave Bashkiakë, pasi dhe vetë votimi i vendimeve tashmë kërkon një shumicë të thjeshtë dhe jo të cilësuar si ligji i mëparshëm.
Caka shton se kjo bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ndaj dhe LSI kërkoi shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
“Ligji synon të ndryshojë kompetencat e Këshillit Bashkiak, ligji i vjetër parashikonte tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronave publike në favor të të tretëve. Ligji i ri synon ta tjetërsojë këtë kompetencë. Mbi të gjitha tjetërsimi jo vetëm që bën ndarjen e tjetërsimit të dhënies së pronës publike nga dhënia në përdorim, por njëkohësisht synon që këto kompetenca ti bëjë në mënyrë jo transparente, pa kritere dhe çka e bën një praktikë abuzive në duart e kryetarëve të bashkive dhe kryetarëve të këshillave bashkiakë”, – tha ajo.
Mes të tjerash, Caka nënvizoi se “ndryshimi i dytë që na shqetëson më tepër, është shumica me të cilat kryhet vendimmarrja, ligji i vjetër kërkonte një shumicë të cilësuar, ligji i ri kërkon një shumicë të thjeshtë”.
Ish-deputetja kujtoi se Komisioni i Venecias ka rekomanduar se çështje me interes publik duhet të kalonin përmes votimit me shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë. Caka kërkoi që vendimarrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ku të përfshihet dhe opozita dhe mazhoranca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje