Opinion

Afrim Krasniqi: Tre tiparet që po ndodhin në PD dhe zgjidhja që shoh

Nga Afrim Krasniqi* – Zhvillimet e fundit në PD tregojnë së paku tri tipare:

E para, PD vuan prej vitesh nga mungesa e demokracisë së brendshme dhe nga një parti me shtrirje horizontale është kthyer në një forcë politike vertikale, ku strukturat, anëtarët, mendimi ndryshe dhe oponenca nuk kanë rol dhe as hapësirë. Fakti se nuk ka një mekanizëm garant statusor për vendimmarrje, qoftë për një vendim politik që lidhet me nevojën e respektimit të standardeve të integritetit dhe dekriminalizimit, qoftë për nënshtrimin absurd të partisë ndaj kryetarit të saj, tregon mbi të gjitha se partitë tona, përfshirë PD, PS e LSI, veprojnë më shumë si biznese private sesa si institucione mendimi e përfaqësimi.

E dyta, niveli i debatit midis grupeve të ndryshme në PD është thuajse në nivelin e debatit të rrugës, me etiketime, fyerje, akuza dhe mungesë respekti ndaj Tjetrit, çfarë tregon se partitë tona në tërësi jo vetëm nuk janë shndërruar në shkolla demokracie, por janë në nivel formimi nën mesataren e shoqërisë. Njësoj si në periudhën e debatit të lëvizjes për katarsis në PS më 2001 edhe tani në PD del qartë se ata që përfaqësojnë mbi 600 mijë vota kanë formim minimal politik, janë aty për shkak të raporteve personale e klienteliste dhe jo për shkak të meritës dhe se politika në Shqipëri në tërësi është marrë peng nga individë pa profesion dhe pa vizion.

E treta, megjithëse duket se ka debat, në të vërtetë gjithçka po zhvillohet rreth axhendës personale të emrave të veçantë, jo rreth nevojës jetike që PD ka për të reformuar vetveten, për një kontratë të re sociale e politike me shoqërinë, për një qasje të re në identitet, në imazh, në program, në alternativë dhe në partneritet me qytetarët dhe ndërkombëtarët.

Në PD nuk po flitet, as po mendohet, por vetëm po bërtitet dhe lancohet. PD ka nevojë të nisë një debat shumë më të thellë, shumë më transparent, shumë më përfshirës dhe shumë më konkret, rreth asaj nëse do vijojmë të kemi një opozitë formale e të emëruar apo një opozitë të përgjegjshme dhe reformatore, sesi ajo duhet të ndryshojë në mënyrë që qytetarët të rikthejnë besimin tek alternativa e saj e munguar, të përcaktojë se cilat janë sfidat e Shqipërisë dhe cili është roli dhe misioni i një opozite në një vend kandidat për në BE.

Zgjidhjet janë disa, ligjore dhe politike, por është e qartë se asnjë skenar nuk do të ketë vlerë e impakt pozitiv për opozitën nëse ajo nuk mendon, sillet dhe vendos me parimet e periudhës kur u krijua 30 vjet më parë. Ajo nuk duhet të mbetet peng i 1,2 apo 3 individëve dhe as i praktikave klienteliste, por të ndjekë modelet referuese në EPP, ku partia politike shihet si institucion, si ent demokratik, si mision, si përgjegjësi, si llogaridhënie dhe si kontratë besimi që testohet e ndryshohet në program dhe ekip çdo 4 vjet.

*(Ky opinion është dhënë për Gazetasi.al)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë