Nga Ben Andoni* – Përplasja tek PD-ja është e logjikshme pas shpalljes së zotit Berisha “non grata” dhe shmangies së tij pak orë para Legjislaturës 10-të nga kryetari Basha.
Ajo që është shqetësuese për mua personalisht është fakti sesi kjo parti nuk mundi në Kuvendin e saj të vendoste pikat mbi “i” dhe të mos linte kryetarin aktual të PD-së të impononte ndryshimet e tij statusore për të dytën herë me radhë pas humbjeve në zgjedhjet e përgjithshme.
Nga ana tjetër, lëvizjet e ndryshme dhe artikulimet shumë ambigue të shumë zyrtarëve të PD-në lenë të kuptojnë se në thelb u intereson kjo përplasje për të hapur mundësitë e tyre drejt kreut duke shfrytëzuar infrastrukturën humane dhe logjistike të PD-së.
E frikshme është se ende shumëçka është në dorë të ish-kryetarit, Berisha, që tashmë nga lëvizja e tij, e titulluar “Foltorja” po e shtyn përçarjen e këtij formacioni deri në absurd. Pak orë më parë në Shkodër, Berisha arriti që t’i ndryshonte edhe krahun ideologjik partisë duke kaluar nga e Djathta e Qendrës në Konservatore.
Ndërsa më shqetësuese është ndarja e bazës në tifozë të Berishës dhe në mbrojtës të Bashës, duke dhënë një paraqitje shumë të keqe edhe sa i përket qëndrimit ndaj SHBA-së që sipas tyre mbetet aleati i madh i vendit tonë dhe PD-së, por që në rastin e Berishës…gaboi!!! E trishtë edhe për njerëzit që e ndjekin dhe që shpejt do t’u duhet të tregojnë realisht përkatësinë e tyre pro Berishës apo SHBA-së. Mënyra sesi duan t’i martojnë dy qëndrimet, në jo pak raste, tregon nivel të frikshëm etiko-politik. Një grup paradoksesh që i shtohet apatia patologjike e z.Basha, i cili po mundohet ta sfumojë lëvizjen Berisha thjesht me gafat dhe dobësinë që po tregon udhës vetë ish-kryetari. Nga ana tjetër, ashtu si në të gjitha rastet e tjera, Basha po tregon se nuk mund të jetë më kryetari moral i Partisë Demokratike.
Zgjidhja është një dhe vetëm një: Mbledhja e Kuvendit dhe hapja e një gare platformash e individëve të ndryshëm, duke shmangur shkaktarët e vërtetë të humbjes së Demokratëve, Bashën dhe Berishën. Sa më shpejt ta kuptojnë aq më i lehtë do të jetë rikuperimi, por gjasat janë shumë të pakta, në një parti kaq kaotike sa Partia Demokratike në këto momente.
*(Ky opinion është dhënë për Gazetasi.al)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje