Politike

Braçe e Bozdo kërkojnë paketë financiare për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga kriza energjitike

Duke iu referuar rritjes së çmimeve në tregun e hidrokarbureve, Erion Braçe deklaron se problemi më i madh në Shqipëri nuk është rritja e çmimeve për shkak të luhatjeve ndërkombëtare, por për shkak të monopoleve dhe fiksimit të tyre.

“Tregjet tona janë të përqendruara, të kontrolluara nga vetëm 4-5 kompani, thuajse me konkurrencë formale. Çmimet në to as funksionojnë si në bursë dhe as përcillen siç bursa vendos. Çmimet këtu nuk i nënshtrohen konkurrencës, çmimet këtu caktohen, njoftohen!”, shkruan deputeti socialist.

Ai kërkon që shteti të ndërhyjë më fort, duke detyruar kompanitë që u shmangen taksave që të paguajnë pjesën e tyre dhe propozon rishpërndarje të këtyre taksave të mbledhura për shtresat në nevojë.

“Rritja e çmimeve pa ndryshuar tatimet e taksat, po sjell të ardhura shtesë në arkën e shtetit, shumica paguar nga qytetarët për shkak të TVSh, akcizës etj., tatime e taksa konsumi. Dua ta sqaroj njëherë e mirë, i paguajnë qytetarët, biznesi i madh bën thjesht agjentin e qeverisë. Ndaj duhet të rishpërndajmë. Dy rruge ka: përmes tatimeve e taksave, veçanërisht atyre që mbitatojnë konsumin, të ardhurat nga puna, uljes së tyre; përmes pagesave të drejtpërdrejta, mbrojtëse e rimbursuese për të varfrit dhe shtresën e mesme”, thotë Braçe.

Ish-zv.Kryeministri mendon se rritja e çmimeve nuk mund të ndalet me vendim qeverie dhe paralajmëron se fenomeni do të godasë më shumë të varfërit dhe shtresën e mesme, që sipas Braçes, që të dyja përballuan barrën e kostot e tërmetit dhe të pandemisë dhe jo të pasurit.

“Kriza e çmimeve sado e përkohshme të jete, nuk duhet të pasurojë edhe më të pasurit, por të përballohet prej tyre. Pa shtuar asnjë tatim për ta, por duke i bërë të paguajnë ndershmërisht atë që u takon, atë që e fshehin dhe qe i ka mbipasuruar! Janë 100 vip-at tanë! Në kuvend javën e dytë të shtatorit ua thashë me emra e mbiemra, xhiro, fitim qesharak dhe tatim akoma dhe më qesharak të paguar”, u shpreh Braçe.

Enno Bozdo

Nga Partia Demokratike ka reaguar ish-zv.ministri i Energjitikës, Enno Bozdo. Ai thotë se Rama nuk mund të bëjë analistin e tregut, por të tregojë më shifra se si do të mbështesë ekonominë dhe shtresat në nevojë dhe se sa do të jetë paketa financiare për këtë mbështetje.

Bozdo thotë se ka një sërë faktorësh ndërkombëtarë që po ndikojnë në rritjen e çmimit të gazit dhe naftës, por shton se kriza e gjen vendin në një situatë katastrofike për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit.
“Kjo krizë e kap Shqipërinë dhe sektorin e saj energjetik në ditën më të keqe: Kompanitë e saj shtetërore të sektorit energjetik janë në situatë katastrofike financiare, ato vuajnë nga nepotizmi dhe megakorrupsioni politik. Gjatë këtyre 9 viteve, nuk është aktualizuar asnjë investim i rëndësishëm në burime të reja të energjisë ndërsa investitorët janë goditur rëndë nga qeveria për shkak të korrupsionit qeveritar. Tregu energjisë është thellësisht monopolistik si pasojë e reformave të munguara, ndërsa qeveria ka shtyrë në kalendat greke cdo reformë që bën të mundur uljen e çmimit të furnizimit me energji të konsumatorëve familjarë”, thotë Bozdo.

Bozdo sjell si shembull reagimin e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të tij.

“Po përgatit një paketë të veçantë qindra miliardë euro që do të përdoret për të zbutur këtë krizë të pritshme të paprecedentë. Më tej, qeveria spanjolle deklaroi përpara disa ditëve se do t`i ulë çmimet e energjisë për familjarët në nivelin e vitit 2018. Qeveria franceze ka vënë që tani në dispozicion 100 miliardë Euro për afro 6 milion familje në nevojë. Qeveria italiane ka shpenzuar që tani 12 miliardë euro duke ndërhyrë në tregjet energjetike për të mbajtur në kontroll çmimin e energjisë. Qeveria angleze gjithashtu po përgatit një ndërhyrje në ndihmë te kompanive të saj të energjisë duke i mbështetur me hua të siguruara nga shteti”, shkruan Bozdo.

Po Shqipëria?

“Kryeministri nuk është të bëjë analistin e tregut të energjisë, por të na shpjegojë se cfarë masash do të marrë qeveria shqiptare dhe mbi të gjitha nëse do të këtë një paketë financiare mbështetëse për ekonominë dhe shtresat në nevojë. Sa do të jetë kjo paketë, si dhe kur do të aplikohet. Qeveria nuk mund ta hedhë përsëri barrën tërësisht tek shqiptarët, siç ajo veproi me ekonominë në rastin e pandemisë Covid 19, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit. Qeveria duhet të veprojë tani pa humbur asnjë moment, sepse pas tërmetit dhe pandemisë, kjo krizë e pritshme do ta rrënojë përfundimisht ekonominë shqiptare dhe këtë të fundit nuk e shpëton më as edhe tullumbacja 18% e rritjes së ekonomisë!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë