Politike

Basha në PPE: Ballkani është kthyer në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Partive Popullore Europiane, Lulzim Basha iu ka kërkuar krerëve të shteteve anëtare që mos pranojnë për vendin tonë, gjëra që nuk do t’i pranonin kurrë për zgjedhësit e tyre.

Kreu demokrat u ndal te procesi i zgjedhjeve të 25 prillit, duke e krahasuar raportin e OSBE-së për zgjedhjet të njëjtë me atë në Bjellorusisë së diktatorit Lukashenko. Për Lulzim Bashën, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve.

“Ne presim nga ky Samit i Ballkanit Perëndimor të adresojë pengesat në udhëtimin tonë drejt Europës. Përveç arenë përplasjesh gjeostrategjike, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve, të cilat nxiten dhe lehtësohen nga autokratët e Ballkanit, që për pushtetin e tyre përdorin krimin e më pas e ndajnë pushtetin me ta”, – tha ai.

Sipas tij, “për shumë vite është kërkuar stabiliteti në dëm të demokracisë, duke korrur si rezultat bjerrjen e të dyjave. Basha u shpreh se “mjafton të shihni raportin e ODIHR, 5 rekomandimet prioritare, nëse hiqni emrin e Shqipërisë, do të mendoni se është raporti i zgjedhjeve i Bjellorusisë së Lukashenkos”.

Krydemokrati theksoi se është shumë e rëndësishme që BE-ja ta përqendrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se Kosova duhet njohur nga 5 shtetet anëtare të Bashkimit Europian që nuk e kanë marrë ende këtë vendim. Basha shton se asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë