Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të kenë një detyrë të vështirë që të qetësojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që shohin prej vitesh t’u mbyllet dera e integrimit, herë me arsye, e herë pa arsye.
Gjatë samitit informal që mbahet këtë të mërkurë në Bërdo të Sllovenisë, 27 vendet anëtare kanë rënë dakord për “formulën standarde” të deklaratës së përbashkët, në të cilën BE bën sikur mbështet perspektivën europiane të rajonit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor bëjnë sikur do të ecin në rrugën e reformave me BE-në si të vetmen alternativë për ta.
Politikisht, Brukseli nuk ka se çfarë t’i ofrojë më as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut. Përçarjet e brendshme të unionit kanë lënë që të dyja vendet me një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por pa një vendim se kur do të hapen formalisht këto negociata.
Burokracitë e vendimmarrjes kanë detyruar udhëheqësit e Bashkimit Europian që të mos japin më premtime, por të deklarojnë domosdoshmërinë se negociatat me të dyja vendet duhet të hapen pa vonesa të mëtejshme.
Megjithatë, vetoja bullgare ndaj Shkupit mund të përsëritet sërish dhe bashkë me të edhe bllokimi i radhës. Një tjetër goditje për vendet kandidate është edhe qarkullimi i një dokumenti të brendshëm të BE, sipas të cilit disa vende anëtare të tij, mes të cilave edhe Holanda, Franca dhe Danimarka kërkojnë pezullimin e zgjerimit pa afat, madje me zëra që kundërshtojnë plotësisht anëtarësimin e gjashtë vendeve të rajonit.
Skeptikët e zgjerimit arsyetojnë se një fenomen i ngjashëm emigrimi të pakontrolluar me atë të rumunëve dhe bullgarëve disa vite më parë mund të përsëritet sërish.
Pasiguria politike ka nxitur BE-në që të përqëndrohet te premtimet ekonomike edhe në samitin informale BE-Ballkani Perëndimor që mbahet në Slloveni. Këtu BE do të theksojë se si ka investuar miliarda euro në rajon, se si është investitori më i madh në rajon, se si është partneri kryesor tregtar e të tjera si këto.
Por, bashkëpunimi dhe integrimi vetëm ekonomik mund të mos mjaftojë. Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndoshta me përjashtim të Serbisë, janë nën presionin e vazhdueshëm të qytetarëve të tyre dhe padurimi mund t’i shtyjë drejt forcimit të bashkëpunimeve të reja me vende të tjera, si Rusia, Kina, apo Turqia.
Nuk është sekret se të trija këto vende kanë interesa komplekse në rajon, interesa që bien ndesh me ato të BE-së, bien ndesh me vlerat, standardet dhe parimet e unionit.
“Duke ngurruar me Ballkanin, BE po u dërgon një ftesë atyre që nuk ndajnë të njëjta norma, vlera e parime në kufijtë e vet dhe brenda hapësirës së saj kulturore e gjeografike. Ky do të ishte një hap pas në zotimet e hershme dhe ku vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shpresuar. Do të ishte gjithashtu edhe një gabim strategjik”, shkruante në një letër drejtuar udhëheqësve aktualë të BE-së, Catherine Ashton, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.
Në letër, Ashton thekson se rreziku që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një arenë përplasjesh interesash ndërkombëtare është i madh dhe nga kjo përplasje Bashkimit Europian do të jetë humbësi i madh, pasi do të afrojë në kufijtë e tij rivalët gjeopolitikë ndërkombëtarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje