Politike

Samiti slloven nxjerr në pah përçarjen e BE për zgjerimin me Ballkanin

Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor hynë pak pas orës 10:00 të paradites në sallën e madhe të takimeve në kështjellën e Bërdosë në Slloveni për bisedimet në lidhje me pandeminë, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha integrimin.

Sipas agjendës së publikuar nga Brukseli, rreth orës 13:30 minuta udhëheqësit e BE duhet të dilnin në një konferencë për shtyp për të njoftuar deklaratën e përbashkët të firmosur nga të gjitha palët në këtë samit dhe objektivat e vendosura për të ardhmen.

Por, konferenca u shty dhe shkak u bë përmbajtja e deklaratës së përbashkët në përfundim të samitit. Mësohet se negociatat mbi përmbajtjen kanë qenë ato që kanë vonuar konferencën për shtyp, duke e shtyrë atë pa afat.

Draft-deklarata e përbashkët ka nisur të hartohet prej fillimit të muajit shtator. Por, e gjithë koha në dispozicion siç duket nuk ka mjaftuar për dakordësimin e këtij dokumenti, që ka një karakter më tepër formal.

Pak ditë më parë u tha se të 27 vendet e BE-së kishin rënë dakord për përmbajtjen e kësaj deklarate, ku përfshihej edhe fjala “zgjerim”. Raportimi hidhte poshtë disa artikuj të mëhershëm të mediave ndërkombëtare se Franca, Danimarka dhe Holanda po kërkonin heqjen e kësaj fjale nga deklarata.

Sipas këtyre artikujve, këto vende kanë hequr dorë nga premtimi për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në vend të anëtarësimit kërkojnë që Brukseli t’u propozojë një marrëveshje partneriteti.

Propozimi i tyre ka hasur në kundërshtimin e fortë të vendeve si Greqia, Italia, Kroacia dhe Sllovenia, që e konsiderojnë atë një gabim gjeostrategjik i pafalshëm, që në të ardhmen mund t’i kushtojë rëndë BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë