Politike

Samiti slloven, BE premton se do flasë për zgjerimin brenda kësaj dekade

Konferenca e udhëheqësve të Bashkimit Europian nisi me më shumë se 60 minuta vonesë, që disa raportime e lidhën me përplasjen e vendeve anëtare në lidhje me përfshirjen apo jo të procesit të zgjerimit në deklaratën finale.

Si përfundim, samiti doli me një deklaratë të gjatë të dakordësuar mes të gjitha palëve, me zhargonin e përhershëm, ku u bëhet thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’u përmbahen premtimeve të bëra për Ballkanin Perëndimor dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vijojnë në rrugën e reformave.

Presidenti i Këshillit Europian shmangu termin përplasje. Ai foli për një debat “të gjallë e pasionant”, por duke pranuar me terma të zbutur se mes bllokut me 27 vende anëtare ka një përplasje në lidhje me zgjerimin.

“Ka diskutime mes 27 vendeve anëtare mbi kapacitetin e Europës për të përqafuar të ardhmen. Na duhet të punojmë në këtë drejtim më shumë”, tha Michel.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vuri theksin te nevoja që vendet e Ballkanit Perëndimor të vijojnë me procesin e reformave, ndërsa kërkoi zgjidhje të përplasjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ka një rëndësi jetike në këtë moment që të gjendet një zgjidhje dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jam e sigurtë që mund të gjendjet një zgjidhje praktike për këtë çështje”, tha ajo.

Von der Leyen u shpreh se BE nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

“Ne e duam Ballkanin Perëndimor në BE dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim se objektivi ynë është zgjerimi”, u shpreh Presidentja e Komisionit, që më tej shmangu anën politike të ngecjes së këtij procesi dhe u përqëndrua te ana ekonomike e tij.

Ndërkohë, kryeministri slloven, Janez Jansa tha se deklarata përfundimtare nuk vendos afate sa i takon zgjerimit, duke lënë kështu pa afat edhe hapjen formale të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Por, mendoj se më shumë rëndësi ka që vendet e BE kanë treguar vullnetin që brenda dekadës do të përqëndrohet te anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor”, tha ai, duke shtuar se reformimi i brendshëm i unionit, reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhja e të gjitha përplasjeve dypalëshe janë procese që mund të ecin paralelisht në dekadën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë