Politike

Berisha: Basha duhet të largohet. Protesta për rritjen e çmimeve

Ish-kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e radhës të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, në atë që ai e quan “Foltorja”, për një Parti Demokratike më të bashkuar, akuzoi qeverinë aktuale për korrupsion dhe për shkaktarin që të rinjtë po largohen nga vendi.

Ai tha se rritja e çmimeve, ulja e pagës minimale janë arsyet kryesore të emigrimeve. Sa i takon kryetarit aktual të PD, Lulzim Bashës, ai tha se duhet largohet nga drejtimi, pasi humbi në zgjedhje.

“Vij sot, më i motivuar se kurrë. Për t’i dëshmuar shqiptarëve se ne jo vetëm jemi, njerëzit, qytetarët, demokratë dhe demokrate të idealeve fisnike, njerëzore dhe kombëtare, por jemi sot në këmbë më të vendosur se kurrë në mbrojtjen e tyre dhe vendosjen e tyre në piedestalin që meritojnë. Sot është një thirrje e brendshme e ndërgjegjes së çdo demokrati. Edi Rama dhe regjimi i tij ka katandisur Shqipërinë dhe shqiptarët ne delen e zezë të Ballkanit dhe Evropës, në një vend pa shpresë, nga i cili të rinjtë ikin, ikin dhe vetëm ikin. Shqiptarët nisën një rrugë zhvillimi, po ku janë sot shqiptarët pas 8 viteve? Janë 30% më ulët seç ishin në vitin 2013. Kreu i opozitës nuk përmban rregullin fillestar, kur humb të japësh dorëheqjen. Basha kalon nga humbja në humbje dhe nuk kujton që duhet t’i hapë rrugën të tjerëve për të shkuar në fitore. Humbëm zgjedhjet, dhe Basha shpalli masakrën në vend që të mbronte votën tuaj, ta denonconte me dosje dhe dokumente, por ai u mor me karrigen e tij. Në vitin 2021, diferenca mjerisht, midis demokratëve dhe PS është në favor të PS, më e madhe seç ishte diferenca në vitin 1997. Në 97’ ishte diferenca 90 e ca mijë vota, tani ka shkuar në mbi 100 mijë. Megjithatë ai injoroi batërdinë zgjedhore dhe u mor me zgjedhjen e tij”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha nga Elbasani.

Berisha kishte një kërkesë të qartë për delegatët, duke i kërkuar që të firmosin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe të vendosin me votë për vendimin e dhënë ndaj tij, për pezullimin nga grupi parlamentar.

“Kam një kërkesë për delegatët, që të firmosin për mbledhjen e kuvendit të Partisë Demokratike. Mund ta quani edhe Kuvendin e rithemelimit të PD. Ata që përzunë votën e lirë nga PD, i bënë asaj, një dëmtim të jashtëzakonshëm. Ne do të rikthejmë votën. Me votën tuaj të lirë, ju do përcaktoni drejtuesit e degëve, deputetët dhe renditjen e tyre. Do përcaktoni qeveritarët vendorë dhe këshilltarët e tuaj. Po çfarë bën kryetari që vendos në statut, që kryetari i Elbasanit do i miratojë kryetari i partisë. Ne do ju japim ju të gjitha kompetencat që meritoni”, tha Berisha.

Për rritjen e çmimit të energjisë, Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve që të ngrihen në protestë dhe e ka  paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se do i “tregojë vendin”.

”Duhet të përgatitet për protestat më të fuqishme në vend, dhe ta dish se nga rruga nuk shqitemi pa të hedh aty ku e meriton, mos luaj me çmimet, mos luaj me kafshatën, ne duhet të ngrihemi në këmbë si opozitë që t’i tregojmë vendin siç e treguam në ’90-n, demokratët të përgatiten për një betejë  gjer në fitoren tonë të plotë, fitore të merituar”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë