Ne rrjet

Zgjedhjet lokale në Kosovë, kush do ta bëjë Prishtinën Smart?

Gara për zgjedhjet lokale në Kosovë që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti është digjitalizuar. Përveç faktit që masat anti-Covid po limitojnë mundësinë  e një fushate tipike dhe kandidatët po qasen drejt fushatës virtuale, ata janë zotuar të gjithë për një qëllim: kthimin e Prishtinës në një qytet të zgjuar.

Prishtina “Smart City” është programi i paraqitur për herë të parë nga kandidati i Aleancës Kosova e Re, Gëzim Mehmeti. Në programin e AKR-së, synohet digjitalizimi i të gjitha fushave ekonomike dhe sociale në Prishtinë, nga kontrolli i trafikut dhe monitorimi i ndërtimeve të reja në qytet e deri tek bujqësia dhe bletaria.

Në një qytet me hapësirë rurale mbi 90%, program i AKR-së është i orientuar më së shumti tek zonat jashtë qytetit dhe investimet në to me qëllim përmirësimin e jetesës.

AKR është momentalisht pjesë e qeverisjes së Prishtinës nga aleanca me Partinë Social Demokrate nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe mori vendin e nënkryetarit të Komunës dhe disa drejtori. Në postin e nënkryetarit të Prishtinës u emërua Selim Pacolli i cili u përzgjodh edhe si i zgjedhur për kandidat të Kryesisë së Prishtinës nga AKR për zgjedhjet lokale të këtij viti. Pak orë para shpalljes, KQZ-ja nuk e certifikoi si të tillë. Vendin e mori numri 2 në listë, Gëzim Mehmeti.

Mehmeti garon nën sloganin “Prishtina, Gëzimi Jonë”.

Më idenë e një qyteti të zgjuar garon edhe kandidati nga radhët e PDK-së, Përparim Rama. “Smart City” është pjesë me rëndësi në programin e tij, por jo më  e rëndësishme se tre P-të.

Duke luajtur me fjalët, Rama paraqet Planin e Përparimit për Prishtinën, “3P”. Aty përfshihet, “Prishtina e Pastër”, “Prishtina Praktike” dhe “Prishtina  e Përjetimeve”.

Prishtina e Pastër synon një qytet të gjelbëruar, transport alternativ dhe kthimin e fokusit të investimeve në fshatra.

Prishtina Praktike nënkupton përmirësimin e transportit publik, më shumë hapësira për parking dhe digjitalizimin në tërësi të qytetit.

Prishtina e Përjetimeve prek anën sentimentale të kryeqytetit dhe vetë prishtinasve.

Përparim Rama me profesion arkitekt garon me logon e #PR4PR dhe Prishtina për të gjithë.

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë e mëparshme të Kosovës, kandidon me programin e tij Eco, “Prishtina e gjelbërt”. Prishtinasit dhe mediat në Kosovë e etiketojnë Ismailin si “Lali Eri” i Prishtinës dhe në spotin e tij elektoral shoqërohet nga Lali Eri i Tiranës.

Uran Ismaili është zotuar për transport publik falas në Prishtinë, uljen e shoejtësisë së lëvizjes me makinë deri në 30 km/h brenda lagjeve, hapësira të shtuara për parking, ndriçim për të gjithë zonat në qytet dhe zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.

Arben Vitia, kandidati për Prishtinën nga Lëvizja VetëVendosje i cili pak ditë më parë dha dorëheqjen nga posti si Ministër i Shëndetësisë për të nisur fushatën. I vetmi kandidat që nuk po garon me digjitalizim, aq sa nuk përdor as rrjetet sociale. Në një zotim të mëhershëm të tijin, Vitia që ishte ende ministër në detyrë, tha se nuk do të bënte fushatë dhe kurrsesi nuk do të thyente rregullat e vendosura anti-Covid. Nuk ka plan program, nuk ka logo dhe as prezencë mediatike, por sipas burimeve të gazeta “SI”, Vitia është present në terren me takime elektorale dhe grumbullime qytetarësh.

Një tjetër kandidat i njohur në jetën politike të Kosovës është ish-deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vëllai i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.  Ai ka prezantuar programin e tij “E Para Prishtina” nën sloganin #punamarë. Aty shqyrtohen problemet  e përditshmërisë në Prishtinë si pabarazia në ndërtim, mungesa e sigurisë dhe transportit publik.

Kandidatët që synojnë të drejtojnë Prishtinën për 4 vitet e ardhshme kanë ofruar për votuesit edhe website të sapokrijuara nën emrin e tyre apo të sloganit që përdorin. Aty mund të shikohet çdo hap që ata hedhin dhe çdo gjë që kanë bërë më herët për Prishtinën dhe jo vetëm.

Sipas sondazheve të kryera nga mediat në Kosovë, Prishtina mund të merret përsëri në aleancë. Kryeson kandidati i VV-së, Arben Vitia dhe pas tij Përparim Rama nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kështu edhe zgjedhja midis alternativave të shumta për ta bërë Prishtinën të zgjuar ndoshta mund të jetë më e lehtë.

Gëzim Mehmeti nga AKR https://gezimijone.com/

Përparim Rama nga LDK https://prforpr.com/  

Uran Ismaili nga PDK http://prishtinanabashkon.com/

Daut Haradinaj nga AAK http://www.dautharadinaj.com/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë