Partia Socialiste nuk do të votojë kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor “Becchetti” të kërkuar nga grupi parlamentar i PD-së si dhe do të kërkojë riformulimin e dy objekteve të tjera hetimore për zgjedhjet dhe inceneratorët.
Vendimi është marrë në mbledhjen grupit parlamentar të PS-se që pritet të zbatohet ditën e enjte në seancë plenare kur të votohet kërkesa për ngritjen e tre komisioneve hetimore.
“Lidhur me qëndrimin tonë për ngritjen e komisioneve hetimore. Njëra prej kërkesave bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe interesin e Shqipërisë pasi është në procese gjyqësore. Interesi më i madh është interesi i Shqipërisë.
Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë një sugjerim i Avokatit të Shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik dhe më pas mund të ngremë edhe këtë komision hetimor”, tha në një prononcim për mediat kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Për dy komisionet e tjera, Balla sqaroi se, “mjafton të ketë disponibilitet nga Grupi i PD, dhe jemi pranë gjetjes së një formulimi, që në radhë të parë duhet të respektojë prezumimin e pafajësisë. Nëse PD pretendon se ka pasur masakër zgjedhore, këtë nuk mund ta pranoj edhe unë. Duhet të shkojmë drejt një formulimi që bazohet te prezumimi i pafajësisë dhe shton “pretendimet”. Por duhet të prevalojë parimi i pafajësisë dhe të hetohen pretendimet”.
Pak ditë më parë, Balla tha se për ngritjen e komisioneve hetimore do të ndiqet procedura e parashikuar në rregullore, porse nënvizoi se paraprakisht PS-ja do të diskutonte objektin e hetimit të kërkuar nga PD-ja për secilin komision.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje