Republika Çeke po përballet me ngërç politik dhe një vakum të mundshëm të pushtetit pasi kryeministri i saj miliarder, Andrej Babiš, pësoi një humbje të papritur në zgjedhjet e përgjithshme dhe më pas e pa ndihmësin e tij më të fuqishëm dhe shpëtimtarin e vetëm potencial, presidentin e vendit, Miloš Zeman, të dërguar në spital, me sa duket i sëmurë rëndë.
Partia populiste Babiš u rendit e dyta në votimin popullor të kësaj fundjave pas aleancës së qendrës së djathtë konservatore “Spolu” e cila më parë u zotua të mos formonte një qeveri me kryeministrin në detyrë.
Aleanca “Spolu” filloi bisedimet për koalicion me një fraksion të majtë liberal, Piráti-STAN, pasi të dy blloqet fituan gjithsej 108 vende në Kuvend nga 200 gjithsej.
Pushteti i Babis u duk më i dobët të dielën pasi kamerat televizive kapën presidentin Zeman – i cili ka premtuar në mënyrë të përsëritur se do të bëjë gjithçka për të mbajtur kryeministrin në detyrë – duke u transportuar në spital me një ambulancë.
Miroslav Zavoral, kreu i spitalit qendror ushtarak të Pragës, më vonë u tha gazetarëve se Zeman ishte shtruar për shkak të “komplikimeve që shoqërojnë një sëmundje kronike” dhe tha se presidenti po trajtohej në njësinë e kujdesit intensiv, ndërkohë arsyeja e sëmundjes nuk u zbulua.
Mediat çeke publikuan pamje dhe imazhe të Zemanit, një duhanpirës i fortë, (por edhe diabetik) duke u futur në spital, me sa duket pa ndjenja, me një truprojë që mbante kokën, dhe në prani të gruas dhe vajzës së tij.
Situata shëndetësore e presidentit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mbijetesën politike të Babisit sepse presidenti Zeman ka thënë se do të ftojë për të formuar qeverinë drejtuesin e partisë më të madhe të vetme (që i referohet ANO 2011), pavarësisht humbjes së përgjithshme në zgjedhje.
Partia e kryeministrit fitoi 72 vende, një më shumë se aleanca Spolu, e cila është një aleancë me tre partitë, Demokratët Qytetarë (ODS), Demokratët Kristianë (KDU-ČSL) dhe Top 09 pro-BE-së.
Megjithëse Babiš, një ish -oligark miliarder, konglomerati industrial i të cilit, Agrofert, kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë çeke, nuk ka rrugë të qartë drejt një koalicioni të qëndrueshëm, analistët besojnë se ai mund të shfrytëzojë një periudhë tranzirore, gjatë së cilës ai shërben si kryeministër i përkohshëm duke kërkuar të ruajë pushtetin dhe të përçajë në të njëjtën kohë aleancën Spolu duke u përpjekur të arrijë një marrëveshje me një nga partitë në koalicionin kundërshtar.
Përshtati në Shqip/ Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje