Politike

Rama hedh poshtë “pazaret” për Vettingun: Reforma në drejtësi nuk mund të kushtëzohet 

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e ngritura nga deputeti i PD, Oerd Bylykbashi se për zgjatjen e afateve të vettingut po bëhen pazare mes PS dhe PD.

Në një deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste këtë të premte, Rama tha se çdo qëndrim tjetër bie ndesh me interesat e vendit dhe interesat e ShBA.

“Reforma në drejtësi është për t’u kryer dhe jo negociuar. Në këtë pikë është shumë e qartë se kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh reformës në drejtësi i bie ndesh interesa të vendit dhe aleancave strategjike”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se reforma në drejtësi nuk mund të kushtëzohet me asnjë kërkesë tjetër.

Reagimi i Ramës mbërrin disa ditë pasi deputeti Oerd Bylykbashi tha përmes një statusi në Facebook se me reformën në drejtësi po bëhet pazar, ku Rama ka ofruar ndërhyrje në reformën administrative-territoriale duke i ofruar PD shtimin e numrit të bashkive në këmbim të votës për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të vettingut.

“Të tjerat janë cështje që patjetër mund të diskutohen, ne jemi gati të diskutojmë cdo gjë me PD-në por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare”, tha Rama.

Ndëryrja në Kushtetutë për zgjatjen e afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që skadon në qershor të vitit të ardhshëm kërkon mbështetjen e të paktën 94 deputetëve në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë