Politike

Veliaj drejtues i përkohshëm i PS në qarkun e Tiranës, Rama: Do analizojmë 25 prillin qendër më qendër

gazetasi

Partia Socialiste ka caktuar të deleguarit në Qarkun e Tiranës, ku Erion Veliaj u vendos drejtues i përkohshëm. Lindita Nikolla është caktuar e deleguar në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit, ku ka zëvendësuar Elisa Spiropalin. Ndërkohë Mimi Kodheli është deleguar në Njësinë Nr. 8 në Tiranë dhe ka zëvendësuar Ervin Bushatin.

Delina Ibrahimi do të jetë e deleguara e PS në Njësinë Nr. 5, në Tiranë, Paulin Stërkaj është caktuar në Njësinë Nr. 11, dhe vjen nga qarku i Shkodrës. Ndërkohë është rikthyer sërish në Tiranë Blerina Gjylameti, e cila në zgjedhjet e 25 prillit u delegua në Pogradec. E deleguar në zonën Farkë-Baldushk-Petrelë është Frida Krifca, e cila ka zëvendësuar deputetin Xhemal Qefalia, për këto zonë, ndërsa deputeti më i ri i zgjedhur në PS, Orlando Rakipi, është caktuar i deleguar në bashkinë e Vorës.

Ndërkohë, Partia Socialiste do të analizojë votën e 25 prillit qendër më qendër për të vlerësuar cilësinë dhe sasinë e anëtarëve të saj në raport me rezultatin e marrë.

Kryesocialisti Edi Rama tha në përfundim të mbledhjes së kryesisë së partisë si dhe përsëriti planin për në hapje të re, të njoftuar që në qershor në mbledhjen e Kongresit dhe konfirmuar në fund të gushtit nga Asambleja.

“PS ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme dhe njëkohësisht për një proces tjetër të ri transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve, puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për të hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës dhe për të kriuar një bazë të re për të ecur më tutje”, tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Kryesocialisti bëri thirrje që askush të mos e tejkalojë atë që ai e quajti “vija e kuqe” e punësimeve në administratë.

“Një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS. Janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i Qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Shqipërisë bazuar në kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ta kenë të qartë të gjithë që kjo nuk është propagandë. Kjo është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në në nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së gjithë administratës shtetërore në raport me publikun”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë