Të paktën 43,000 njerëzve mund t’u jenë dhënë gabimisht një rezultat negativ i testit Covid-19, ka thënë Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, pasi njoftoi pezullimin e veprimeve në një laborator privat të drejtuar në Wolverhampton.
Kjo lëvizje erdhi pas një hetimi tek njerëzit që kishin marrë rezultat negativ të testit të PCR pasi më parë ishin testuar pozitivë në një tjetër laborator.
Rreth 400,000 mostra ishin përpunuar përmes laboratorit, shumica dërrmuese e të cilave do të ishin rezultate negative, por rreth 43,000 njerëzve mund t’u jetë dhënë rezultate të pasakta negative të testit PCR midis 8 shtatorit dhe 12 tetorit, kryesisht në jug, Anglia Perëndimore.
Qeveria e Uellsit tha se rreth 4,000 banorë të Uellsit ishin në mesin e atyre që iu dhanë rezultate të pasakta të testit Covid.
Pas pezullimit po kontaktohen te gjithë ata që mund të jenë ende infektues për t’i këshilluar të bëjnë një test tjetër.
Nga autoritetet kjo u konsiderua si “një incident i izoluar që i atribuohet një laboratori, ndërkohë që të gjitha mostrat po rishpërndahen në laboratorë të tjerë”.
Dr Will Walth, drejtori i shëndetit publik tha: “Nuk ka dëshmi të ndonjë defekti në vetë pajisjet e testimit LFD ose PCR dhe publiku duhet të ndihet i sigurt në përdorimin e tyre dhe në shërbimet e tjera laboratorike të ofruara aktualisht.”
Klinika Shëndetësore Immensa, e cila është në pronësi të themeluesit të një firme të kujdesit shëndetësor të quajtur Dante Labs, u regjistrua si kompani në Mbretërinë e Bashkuar në maj 2020, vetëm disa muaj para se të fillonte përpunimin e testeve sipas një kontrate qeveritare në Mbretërinë e Bashkuar. Faqja e saj e internetit tregon se ofron shërbime testimi për njerëzit që udhëtojnë brenda dhe jashtë MB.
Shefi ekzekutiv i Klinikës Shëndetësore Immensa, Andrea Riposati, tha: “Ne jemi duke bashkëpunuar plotësisht me UKHSA për këtë çështje. Cilësia është parësore për ne. Ne kemi analizuar me krenari më shumë se 2.5 milion mostra për testin dhe gjurmimin, duke punuar ngushtë me ekipet e mëdha në DHSC [Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social] dhe UKHSA. Ne nuk dëshirojmë që kjo çështje apo ndonjë gjë tjetër të njollosë punën mahnitëse të bërë nga Mbretëria e Bashkuar në këtë kohë pandemie “
Dr Kit Yates, një biolog në Universitetin e Bath tha se gabimi mund të jetë bërë pas një rritje kohët e fundit të rasteve me koronavirus.
Ai tha: “Ka pasur një përpjekje të përbashkët për të nxjerrë në pah atë që po ndodh me këto rezultate të çuditshme me shpresën se dikush do të hetojë. Ne tani e dimë se 43,000 njerëzve besohet se u janë dhënë teste negative të rreme, por kjo as nuk i afrohet kostos së gabimit. Shumë nga këta njerëz do të jenë detyruar të shkojnë në shkollë ose punë, duke infektuar potencialisht të tjerët. Kjo mund të jetë pjesë e arsyes që qëndron pas disa ngritjeve të fundit që kemi parë”.
Ministrja e Shëndetësisë për Uellsin Eluned Morgan tha se 4,000 banorë të Uellsit mund të jenë prekur, me shumicën e tyre në zonat Gëent dhe Cwm Taf Morgannwg të Uellsit jugor.
Morgan tha: “Çdokush që kishte një test nga 4 Tetori dhe ka marrë një rezultat nga laboratori në fjalë do të kontaktohet me mesazh tekst ose email dhe do të këshillohet se nëse ka rezultuar negativ të rezervojë një tjetër takim për t’u ritestuar”.
Njerëzit që morën një rezultat negativ PCR midis 3 dhe 12 tetorit, si dhe kontaktet e tyre të ngushta, u inkurajuan “fuqishëm” nga autoritetet lokale për të bërë një test tjetër.
Këshilltari Graham Bridgman tha: “Testimi vazhdon të mbetet i rëndësishëm ndërsa mësojmë të jetojmë me Covid, dhe kushdo që ka simptoma, ose që ka qenë në kontakt me dikë që rezulton pozitiv, duhet të rezervojë një test PCR menjëherë. Ne gjithashtu inkurajojmë publikun të bëjë dy herë në javë testime “
Marrë nga “The Guardian”/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje