Ne rrjet

‘Kukullat e Sorosit’, kryeministri slloven sulmon eurodeputetët. Reagojnë Sassoli e Michel

Përplasje e re midis kryeministrit slloven Janez Janša, i cili është gjithashtu është presidenti i radhës i Këshillit të BE-së –  problem edhe më i madh – dhe institucioneve evropiane mbi sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.

Përmes një njoftimi në Twitter, Janša, i cili njihet ndryshe me nofkën “Marshalli Twito” në Slloveni, për shkak të përdorimit intensiv të platformës sociale, vuri në dyshim paanësinë e një misioni të Parlamentit të BE-së në Ljubjanë.

Ndërkohë, presidenti i BE, David Sassoli ndërhyri pikërisht në Twitter për t’i “kërkuar urgjentisht” Janša-s të “ndalojë provokimet kundër anëtarëve të Parlamentit të BE”.

Sassoli, theksoi gjithashtu se “bashkëpunimi konstruktiv me presidencën e radhës të Këshillit, mund të bazohet vetëm në besimin dhe respektin reciprok”.

Kryeministri slloven, Janez Jansa

Në fillim të presidencës, tensione ishin krijuar me Komisionin e BE-së, pasi Janša, për të kundërshtuar pavarësinë e gjyqësorit, tregoi foton e dy gjyqtarëve sllovenë që përqafonin dy deputetë social-demokratë dhe nënkryetari Frans Timmermans, holandez, kishte braktisur fotografinë në grup të ceremonisë përuruese.

Por le t’i shikojmë gjërat nga fillimi. Një delegacion i përbërë nga shtatë euro-deputetë nga Komiteti i Lirive Civile dhe një nga Komiteti i Kontrollit të Buxhetit të Parlamentit të BE-së, i udhëhequr nga holandezja Sophie In’t Veld, shkoi në Slloveni tre ditë më parë.

Një mision që përfundoi këtë të premte 15 tetor, për të vlerësuar situatën në vend nga pikëpamja e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.

Një iniciativë që nuk u vlerësua nga kryeministri slloven, i cili nuk u shfaq në takim dhe që ‘retweetoi’ një meme të vjetër, në të cilën “13 nga 226 kukullat e njohura të Sorosit në Parlamentin Evropian”, janë portretizuar, përfshirë këtu edhe liberalen holandeze, Sophie In’t Veld, belgun Guy Verhofstadt, ish-presidentin e Parlamentit të BE-së, Martin Schulz.

Mes tyre është edhe holandezi Hans van Baalen, i cili ndërroi jetë prillin e kaluar. Qëllimi i Janša-s, është të sfidojë paanësinë e euro-deputetëve dhe të Sophie In’t Veld po ashtu.

Një “tweet” me “shije të keqe” u përgjigj kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili shprehu keqardhjen e tij “në mënyrën më të fortë të mundshme”.

Fjalë që nxitën replikën e ashpër të Janša-s: “Mos e humbni kohën me ambasadorët dhe lirinë e medias në Slloveni, – shkroi në Twitter. – Së bashku me Sophie In’t Veld, ju mbroni gazetarët tuaj që të mos vriten në rrugë”.

Një përshkallëzim i toneve që bëri që Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të fliste vonë në mbrëmje: “Anëtarët e Parlamentit Evropian, duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë nga çdo formë presioni, – shkroi ai në Twitter. – Respekti reciprok midis institucioneve të BE-së dhe brenda Këshillit Evropian, është e vetmja mënyrë për të ecur përpara”.

Holanda nuk është e gatshme të bëjë tolerime për mosrespektimin e sundimit të ligjit. Një ditë më parë, Rutte njoftoi para Parlamentit të tij se në Këshillin Evropian javën e ardhshme do t’i kërkojë zyrtarisht Komisionit që të ngrijë planin polak të rimëkëmbjes derisa mosmarrëveshja ligjore midis Brukselit dhe Varshavës të zgjidhet.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë