Politike

Meta: Jemi në regres me zbatimin e ligjit, duhet reflektim i menjëhershëm

Presidenti i Republikës Ilir Meta vëren se zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme, kur i referohet një raporti të fundit, përgatitur nga World Justice mbi “Indeksin e Sundimit të Ligjit 2021”.

“Sipas këtij Indeksi, nga matja e 4 parimeve universale të Sundimit të Ligjit, ai i llogaridhënies, ligjit të drejtë, qeverisjes së hapur, drejtësisë së paanshme dhe të aksesueshme, rezulton se Shqipëria ka pësuar rënie sa i takon sundimit të ligjit, duke u renditur për vitin 2021, e 83-ta nga 139 shtete, mes Suriname, Algjerisë apo Uzbekistanit.

Është për të ardhur keq, që sa i përket faktorit mbi respektimin e ligjit nga Qeveria, Shqipëria jo vetëm që renditet e 109-ta, por ka arritur të lërë pas, me 0,01 pikë, Afganistanin.

Matja e faktorit të mungesës së korrupsionit (që ka matur tregues mbi rryshfetin, ndikimin e paligjshëm, shpërdorimin e fondeve dhe burimeve publike), e rendit Shqipërinë të 105-ën, pas Ganës, Kolumbisë, Beninit, apo 0,01 pikë më mirë se Zambia, Mozambiku dhe El Salvadori.

Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve tanë, të cilët nisur nga kjo situatë e rëndë, kanë humbur shpresën dhe gjithmonë e më shumë po largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre”, shkruan Meta.

Presidenti sheh si shqetësues faktin se pavarësisht vërejtjeve në vite, ato “nuk gjejnë reflektim tek ata që kanë përgjegjësi për të ndërmarrë masat respektive”.

“Nëse Parlamenti, Qeveria dhe institucionet e pavarura vazhdojnë të anashkalojnë këtë regres të pandalshëm, atëherë si do të përmirësohet zbatimi i ligjit në vend?

Gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë