Përvojat negative gjatë fëmijërisë (PNF) në popullatën e re shqiptare ndikojnë drejtpërdrejt në sjellje të rrezikshme shëndetësore dhe pasoja shëndetësore të fëmijëve dhe të të rriturve në të ardhmen.
Ky është përfundimi ku dalin disa studime të viteve të fundit që adresojnë çështje të abuzimit të fëmijëve.
Rezultatet e raporteve dëshmojnë një prevalencë të lartë të keqtrajtimit të fëmijëve ku format më të shpeshta të abuzimit gjatë fëmijërisë ishin ato fizike (40%), psikologjike (50%), seksuale (6%) dhe të qënit dëshmitarë të keqtrajtimit të nënës (rreth 30%).

Në studimin mbi Prevalencën e Përvojave Negative gjatë Fëmijërisë (2011-2012) i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe i kryer në një kampion përfaqësues të studentëve që ndjekin universitetin (N=1437; 67.6% femra /32.4% meshkuj) vërehet se Shqipëria paraqet nivelin më të lartë të keqtrajtimit në këtë popullsi krahasuar me 8 vendet e tjera që kanë kryer studimin e PNF-së.

Abuzimi seksual dhe fizik te studentët djem, më i lartë se te vajzat
Prevalenca e abuzimit seksual ishte dukshëm më e lartë tek studentët meshkuj krahasuar me studentet femra (përkatësisht 8.8% përkundrejt 4.7%).
Shkalla e abuzimit emocional gjatë fëmijërisë ishte e ngjashme në studentët meshkuj dhe femra (51%). Djemtë ishin më të lënë pas dore fizikisht (10.1 tek djemtë përkundrejt 6.5 tek vajzat) dhe emocionalisht (15.7 tek djemtë përkundrejt 11.2 tek vajzat) krahasuar me femrat dhe këto ndryshime ishin statistikisht të rëndësishme (P <0.001).
Në total, rreth 30% e studentëve dëshmuan se nëna e tyre ishte dhunuar dhe rreth 40% e tyre ishin ngacmuar dhe ishin përfshirë në ndeshje fizike gjatë fëmijërisë, të cilat ishin dukshëm më të përhapura tek meshkujt sesa tek femrat. Në përgjithësi 14% e studentëve raportuan të paktën katër përvoja negative gjatë fëmijërisë dhe pothuajse gjysma e tyre raportuan dy ose më shumë përvoja negative fëmijërie.

PNF-të ishin të lidhura pozitivisht me vendlindjen, arsimimin e prindërve, papunësinë e babait dhe të lidhura anasjelltas me nivelin e të ardhurave. Gjetjet tregojnë se mundësitë e zhvillimit të sjelljeve të rrezikshme shëndetësore, të tilla si: përdorimi i duhanit, alkoolit, drogave të paligjshme, partnerëve të shumtë dhe përpjekjeve për vetëvrasje rriten me rritjen e numrit të PNF-ve, duke nënkuptuar një lidhje shkakësore.
Sjelljet e shëndetshme te fëmijët në moshë shkollore
Krahas studentëve, studime janë kryer edhe te femijët e moshës shkollore. Studimi “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore” (Shqipëria është pjesë e rrjetit të HBSC-së që nga viti 2009), ku mblidhen të dhëna për shëndetin dhe mirëqenien, mjedisin shoqëror dhe sjelljet shëndetësore të djemve dhe vajzave të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç vëren se “në total, një në katër fëmijë (rreth 30% e djemve përkundrejt 20% e vajzave) kishin ngacmuar të tjerët në muajt e fundit para studimit.”
“Rreth 22% (rreth 25% e djemve përkundrejt 20% të vajzave) ishin ngacmuar në muajt e fundit nga bashkëmoshatarët e tyre. Për më tepër, rreth 22% e mostrës së përgjithshme të nxënësve të shkollës të përfshirë në studim kishin ngacmuar kibernetikisht të tjerët dhe/ose ishin ngacmuar kibernetikisht nga bashkëmoshatarët e tyre në muajt e fundit.

Lidhur me ngacmimet fizike, rreth 30% e nxënësve raportuan të paktën një episod të ngacmimeve fizike gjatë vitit të kaluar (pothuajse një në dy djem krahasuar me një në pesë vajza). Përveç kësaj, rreth 32% e nxënësve të shkollës (37% e djemve përkundrejt 28% të vajzave) raportuan të paktën një episod të lëndimit gjatë vitit të kaluar. Për më tepër, prevalenca e abuzimit fizik gjatë gjithë jetës në kampionin e përgjithshëm të nxënësve të shkollës të përfshirë në sondazh ishte rreth 31% (pak më e lartë tek djemtë sesa tek vajzat), ndërsa prevalenca e abuzimit emocional gjatë gjithë jetës ishte 16% (mesatarisht më e lartë tek djemtë krahasuar me vajzat)”, – vërehet në studim.
Së fundmi, neglizhenca fizike gjatë gjithë jetës u raportua nga vetëm rreth 2% e fëmijëve (rreth 4% tek djemtë kundrejt vetëm 0.7% të vajzave), ndërsa neglizhenca emocionale nga 14% e fëmijëve (rreth 9% tek djemtë përkundrejt 19% të vajzave). Ndërkohë që prevalenca e neglizhencës fizike (të vetë-raportuar) ishte më e lartë tek djemtë sesa tek vajzat, një gjetje e kundërt ishte e dukshme për neglizhencën emocionale.
Matja e abuzimit dhe keqtrajtimit të fëmijëve, e kufizuar vetëm tek të rinjtë e moshës 15 vjeç, përfshiu vlerësimin e abuzimit fizik dhe abuzimit emocional gjatë jetës dhe/ose gjatë muajit të kaluar.

Në përgjithësi, më shumë se dy të tretat (69%) e të rinjve raportuan se nuk ishin lënduar ndonjëherë fizikisht nga prindërit e tyre ose të rriturit e tjerë në familjet e tyre përkatëse. Një në katër të rinj (26%) raportuan se ishin abuzuar fizikisht një ose dy herë gjatë jetës, ndërsa 6% kishin përjetuar abuzim fizik shumë herë gjatë jetës së tyre. Raporti vëren se përsa i përket niveleve të abuzimit fizik nuk kishte dallime të rëndësishme gjinore.
Në total, prevalenca e abuzimit emocional gjatë gjithë jetës ishte 16%, me një ndryshim të rëndësishëm midis djemve dhe vajzave (13% përkundrejt 18%, respektivisht; P = 0.007).
“Në mënyrë të ngjashme, vetëm të rinjtë e moshës 15 vjeç u pyetën për neglizhencën emocionale në kontekstet e tyre përkatëse dhe rrethanat shtëpiake. Më konkretisht, të rinjtë u pyetën nëse kishte raste kur me ta nuk jetonte asnjë i rritur që t’i bënte fëmijët të ndiheshin të dashur. Në total, rreth 14% e të rinjve të moshës 15 vjeçare raportuan se kishin përjetuar neglizhencë emocionale gjatë jetës së tyre (9% tek djemtë përkundrejt 19% të vajzave; P <0.001).”
Studimi vëren se të dhënat e mbledhura janë të rëndësishme dhe mund të përdoren për politikëbërje dhe qëllime planifikimi në lidhje me strategjitë e ndërhyrjes për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të adoleshentëve.
Në studimin e HBSC-së ofrohen informacion të vlefshme në lidhje me bulizimin, ngacmimet fizike dhe keqtrajtimin e fëmijëve, përveç të dhënave të abuzimit seksual, të cilat u mblodhën për herë të parë në Shqipëri. Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje