Kina mohoi lajmin se ka testuar gjatë këtij viti një raketë hipersonike në gjendje që të transportojë mbushje bërthamore, duke këmbëngulur se objekti në fjalë ka qenë një kontroll rutinë i një anije fluturuese për lëshim satelitësh në hapësirë.
Raporti fillestar i Financial Times ngriti shqetësime në komunitetin ndërkombëtar dhe Uashington. Sipas FT, inteligjenca amerikane ishte kapur në befasi nga testimi i raketës hipersonike kineze. I njëjti artikull thotë se raketa është testuar në lartësi të mëdha dhe ka goditur objektivin pasi ka bërë një rrotullim të plotë rreth Tokës.
Raportimi hedh benzinë në zjarrin e shqetësimeve mbi kapacitetet bërthamore të Kinës, në dritën e përplasjes së Pekinit me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Australinë për çështjen e Tajvanit. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme përgënjeshtroi se ishte testuar një raketë hipersonike.
“Nuk ishte një raketë, ishte një anije fluturuese. Ishte një test me rëndësi për reduktimin e ndjeshëm të kostove të këtyre anijeve”, tha zëdhënësi Zhao Lijian në një konferencë për shtyp.
Sipas raportimit të Financial Times të publikuar ditën e shtunë, Kina testoi gjatë muajve të verës raketën hipersonike. Ajo fluturoi në orbitën e poshtme, para se të rrëzohe në tokë, por duke mos goditur objektivin për pak distancë.
“Testi tregon se Kina ka bërë një progres të jashtëzakonshëm te armët hipersonike dhe është shumë herë më e avancuar nga sa mendojnë zyrtarët amerikanë”, thuhet në një raport të cituar nga Financial Times.
Duke cituar zëra nga Kongresi, FT thotë se ky testim duhet të shërbejë si kambanë alarmi për SHBA që të veprojë ndaj Kinës. Republikani Mike Gallagher tha se nëse Uashington vijon me këtë qëndrim përballë Pekinit do të humbasë brenda dekadës një luftë të ftohtë me të.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA janë në nivelin e tyre më të ulët. Tensionet për shkak të Tajvanit janë rritur ndjeshëm. Në fundjavë, SHBA njoftoi se dy anije të saj luftarake dhe një kanadeze kishin lundruar në Ngushticën e Tajvanit. Kina reagoi e tërbuar, duke e interpretuar këtë shfaqje force të SHBA si shkelje të sovranitetit të saj, duke pasur parasysh se për Pekinin Tajvani është territor i tij.
Si kundërpërgjigje, Kina përforcoi praninë ushtarake me trupa, avionë dhe luftëanije pranë ngushticës dhe pati disa raportime ende të pakonfirmuara zyrtarisht se u ka dhënë urdhër forcave ushtarake që të jenë në gatishmërinë më të lartë të veprimit, që është gatishmëria e luftës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje