Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit e nisi punën me përplasje mes opozitës e mazhorancës dhe përplasja nuk lidhej me objektivin e këtij Komisioni, por me rrugën që do të duhet të ndiqet për të shkuar te ky objektiv.
Që në fillim, PD kërkoi që në seancë të mos ishte i pranishëm deputeti i mazhorancës, Etjen Xhafaj, që në këtë komision është votuar si anëtar zëvendësues. Gazmend Bardhi tha se prania e tij në sallë binte ndesh me ligjin për komisionet hetimore dhe rregulloren e Kuvendit.
Ai tha se anëtarët zëvendësues nuk mund të jenë pjesë e seancës konstituitive të Komisioneve. Pasi u sqarua kjo çështje, përplasja vijoi me rregulloren dhe me planin e punës së Komisionit. Në lidhje me rregulloren, socialistët thanë se ligji ngarkonte komisionin që të hartonte dhe miratonte rregulloren.
Por, nga PD thanë se rregullorja për komisionet hetimore parlamentare është standarde dhe nuk ka nevojë për diskutime. Nga PS u përgjigjen duke kërkuar kohë si për rregulloren, ashtu edhe për programin e punës hetimore.
Deputeti i PD, Ervin Salianji dhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, që në këtë komision hetimor është me statusin e të pavarurit thanë se synimi i vërtetë i socialistëve ishte shkaktimi i vonesave dhe zvarritja e punës së komisionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje