Projektligji për ngritjen e agjencisë për dialog dhe bashkëqeverisje i prezantuar nga ministrja Elisa Spiropali, i prezantuar në Komisionin e Ligjeve, ka hasur pikësëpari paqartësi nga vetë deputetët e PS-së.
“Ka qenë një hap i madh përpara në këto tetë vjet dhe kjo është një gjë pozitive. Por ligji nuk e ka qartësinë e nevojshme, por e komplikon. Projektligji në thelb ka qëllim të mirë dhe duhet mbështetur. Por ligji vetë shkon përtej, është i shkruar keq. Edhe relacioni është shumë i thatë, jo argumentues për qëllimet që ka pasur nisma vetë. Spiropali bëri një prezantim të mirë dhe sqaroi disa momente të rëndësishme. Por unë ende kam disa paqartësi dhe dua të shtroj disa pyetje. Relacioni flet për riorganizim të agjencisë. Cili është statusi aktual i agjencisë? Cilat janë disa nga arritjet dhe problematikat e konstatuara të kësaj strukture? Cilat janë arsyet pra që ndikojnë këto për ta ngritur në forcën e ligjit? Sa qytetarë i janë drejtuar kësaj agjencie në këto vite? Agjencia e sjell në këtë mënyrë nuk arrijmë ta kuptojmë çfarë statusi dhe pozicioni ka në strukturën e administratës shtetërore. Ku hyn agjencia, është institucion varësie apo autonome? Nuk e kuptoj zonja ministre pse duhet të ketë flamur dhe stemë kjo agjenci. Mbrojtja e të dhënave si do të garantohet? A ka nevojë në këtë ligj apo duhet t’i referohemi ligjeve të tjera. Në cilin ligj nuk kuptoj cili është roli i sekretarit të përgjithshëm,” tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi e shpjegoi me gjuhën e vet draftin.
“E di si më duket, si çorape leshi e veshur në behar që është grisur te gishti… “, tha ai
“Agjencia për dialog dhe bashkëqeverisje” është një platformë e re që kryeministri Edi Rama ka vendosur ta ngre për të bashkëqeverisur me qytetarët. Kjo platformë do të kontrollojë gjithë administratën në bashkëpunim edhe me qytetarët. Në projektligj për këtë platformë, thuhet se agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Agjencia që do të kontrollojë administratën në bazë të ankesave të qytetarëve dhe heton shkeljet që mund të përkthehen në gjoba ndaj funksionarëve publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje