Politike

PD akuzon Gjiknurin për aferë korruptive kur ishte ministër

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa denoncoi një skemë sipas saj korruptive që ka ndodhur në Alpetrol në kohën kur ministër ishte Damian Gjiknuri.

“Një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metër kub gazi industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, e cila ka në qendër ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe Mirel Mërtirin e aferave të inceneratorëve.

Në operacionin e zhvilluar në muajt gusht-tetor 2017, Mirel Mërtiri, nëpërmjet kompanisë CGC, i ka bërë Albpetrolit një ofertë të pakërkuar për blerjen e gazit.

Pas marrjes së ofertës, Endri Puka, kreu i Albpetrolit, dhe Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës, kanë përzgjedhur një metodologji për shitjen e gazit industrial të ndryshme nga ajo e ERE-s, një metodologji që bazohej në bursën hollandeze dhe që shoqërohej me një koefiçent zbritës, në shërbim të Mirel Mërtirit, jo të interesave të kompanisë publike.

Sipas hulumtimit, edhe pasi kanë aplikuar një formulë të ndryshme nga ajo zyrtarja e ERE-s për llogaritjen e çmimit, treshja Gjknuri-Puka-Mërtiri, nuk e kanë respektuar atë formulë, pasi sipas kësaj formule, çmimi dilte me koston 25.33 lekë­/Nm³, ndërsa Mërtiri e siguroi blerjen e gazit me vlerën 15 lekë/Nm³”, tha Zhupa.

“Pra, falë bashkëpunimit mes Gjiknurit dhe Pukës, Mirel Mërtiri, dhe vëllain e tij, Ervin Mërtiri, që atë kohë ishte në krye të drejtorisë që mbulonte shitjen e sasive të gazit për Albetrolin në drejtorinë e Tranagatit, e ka blerë gazin me një ulje prej 230 mijë e 913 euro nga çmimi që impononte formula e përdorur.

Kjo kontratë e lidhur në fshehtësi të plotë nga treshja Gjiknuri, Puka Mërtiri, rezulton e zhdukur nga protokolli i Albeptrol, nxjerr në pah se si nën drejtimin e Ramës dhe ministrave të tij, shteti është kthyer në një shtet privat që i shërben interesave të klientëve të pushtetit, në dëm të interesave të familjeve shqiptare”, nënvizoi zëdhënësja e PD.

Sipas saj, kjo kontratë duhet të përfshihet në një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë