Damian Gjiknuri reagoi në Facebook lidhur me akuzat e PD-së se ka kryer afere korruptive kur ishte ministër përmes shitjes së gazit. Më konkretisht, PD-ja, përmes zëdhënëses Ina Zhupa. denoncoi ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka dhe shtetasin Mirel Mërtiri, si të përfshirë në një aferë të shitjes së gazit industrial përmes një skeme që PD e quan korruptive dhe që i ka kushtuar shtetit një dëm ekonomik 230 mijë euro.
Gjiknuri jo vetëm ka përgënjeshtruar akuzat, por ka lëshuar thumbin (edhe për të vetët) kur thotë se ka nisur të bëjë mire punën në parti dhe po sulmohet nga ata që nuk dijnë ta bëjnë.
“Mesa duket kam nisur ta bëj mirë punën e re në parti, përderisa u rivura në shënjestër nga ata që nuk dinë të bëjnë punën e tyre! Të paktën të dinin që “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz, se as blerës nuk ka. Nuk po pretendon njeri që të nxirrnin kontratën e shitjes, sepse ajo nuk ka sesi ekziston, kur shitje s’ka pasur!”, shkruan Gjiknuri.
Më tej, ai sqaron: “Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik.
Ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF). E njëjta metodologji përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).
Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80% të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore.
Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje