Politike

Xhaçka: Të mblidhet Konferenca Ndërqeveritare, çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e unionit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka reagoi pas publikimit të progres-raportit të KE për Shqipërinë që në vija të përgjithshme vlerëson se vendi ka bërë përparim në reformat e ndërmarra drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

Ministrja u shpreh se Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë duhet të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e unionit.

“KE prezantoi sot komunikimin e vitit 2021 mbi politikën e zgjerimit të BE së bashku me raportet vjetore, një ushtrim tanimë i përvitshëm që vlerëson progresin e vendeve për zgjerimin dhe rekomandon nxitjen e reformave të lidhura me axhendën e integrimit. MEPJ mirëpret komunikimet e këtij viti dhe konkluzionet e raportit që përcjellin vlerësime pozitive për çka është arritur dhe vendosin referenca të qarta për punën tonë. Komisioni vlerëson se Shqipëria ka treguar vendosmëri për reformat dhe ka dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme. Raporti thekson se Shqipëria ka shtuar përpjekjet dhe ka prodhuar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në pikat thelbësore të identifikuara në konkluzionet e këshillit. KE rikonfirmon se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, tha ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Ndajmë të njëjtin vlerësim me KE-në se vendet anëtarë duhet të përmbyllin diskutimet e tyre pa vonesë, dhe Konferencat e para Ndërqeveritare me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut duhen të zhvillohen sa më shpejt të jetë e mundur, duke përmbushur një premtim të qartë që është bërë nga BE. Çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e unionit”, u shpreh Olta Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë