SHBA i kërkon Bashkimit Europian që të eleminojë të gjitha pengesat dhe të hapë formalisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke caktuar një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda këtij viti.
“Theksojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit të BE. Anëtarësimi në BE, një prioritet i theksuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbron të drejtat themelore dhe avancon shtetin ligjor. Rajoni i përket Bashkimit Europian. Integrimi do të ndihmojë për stabilitetin dhe zhvillimin e qytetarëve të rajonit. Në këtë kontekst, theksojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.
Deklarata thekson gjithashtu se Uashingtoni dhe Brukseli janë të palëkundura në qëndrimet e tyre për domosdoshmërinë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Theksojmë rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, që është mekanizmi kyç në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, nxisim palët që të mbështesin uljen e tyre dhe të shmangin aksione që kërcënojnë stabilitetin. Mbështesim Kosovën dhe angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksojnë se dhuna ndaj qytetarëve, gazetarëve, policisë dhe autoriteteve të tjera është e papranueshme”, vijon deklarata.
Deklarata e përbashkët e Blinken me Borrell shpreh qëndrimin mbështetës të integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, dënon deklaratat e udhëheqësve serbë atje për shkëputje dhe nxit vendin drejt reformave euro-integruese.
Thirrje për dialog dhe bashkëpunim i bëhet edhe klasës politike në Malin e Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje