Politike

“Çudia ndodhi, bojkot nga mazhoranca”, Alibeaj: Mungesa e PS në komision nuk na ndalon në hetimin e zgjedhjeve

Kreu i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj akuzoi PS-në se po përpiqet të pengojë hetimin për zgjedhjet e 25 Prillit, duke mos u paraqitur në mbledhjen e përcaktuar ditën e mërkurë. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se ata do të kërkojnë zëvendësimin e përfaqësuesve të PS në Komision, në rast se do të mungojnë 3 herë pa arsye.

Mbledhja e radhës e këtij Komisioni është parashikuar ditën e premte.

“Ne jemi këtu si detyrim i vendimit të Kuvendit për tu mbledhur në një afat maksimal që është 3 mujori. Sot është dita e 6 dhe duket fare qartë që mungesa e arsyeve, justifikimeve është një strategji e qartë për të penguar veprimtarinë e masakrës zgjedhore të 25 prillit. Maxhoranca është e dokumentuar si vjedhëse, hajdute shkatërruese e procesit zgjedhor të 25 prillit dhe është afër mëndësh që ata do të bëjnë gjithçka për të penguar hetimet e komisionit për masakrën e 25 prillit. Nuk më çudit kjo sjellje, por nuk e prisja që në mbledhjen e parë, duke parë dhe shtrirjen e dorës për bashkëpunim. Çudia e madhe ndodh, bojkot nga maxhoranca. Kjo tregon qartë se cila është qasja e Edi Ramës që ka vjedhur zgjedhjet. Unë me kolegët kemi vendosur të ndjekim të gjithë hapat. Do të njoftojmë fillimisht kryetaren e Kuvendit, konferencën e kryetarëve dhe jam i vendosur deri në fund që mungesat pa arsye 3 herë janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e  tyre. Jemi të vendosur për të zbatuar ligjin dhe rregulloren”, tha Alibeaj.

Në një reagim në rrjetet sociale ku publikoi edhe foto nga salla e mbledhjeve në Kuvend, ku karriget e anëtarëve të PS janë bosh, deputeti tjetër i PD-së, Gazment Bardhi tha se ky veprim nuk do pengojë opozitën “për të faktuar vjedhjen e zgjedhjeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë