Ministria i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi para Komisionit të Ligjeve projektligjin që ngre Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke shkrirë Shërbimin për Çështet e Brendshme dhe Ankesat. Agjencia e re projektohet në varësi të ministrit.
Projektligji propozon edhe zgjerim të kompetencave të Agjencisë në krahasim me SHÇBA. Veç punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Gradës së Republikës, që përcaktohen edhe në ligjin aktual mbi të cilin funksionon Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në projektligj propozohet që AMP të mbikëqyrë edhe personelin e Akademisë së Sigurisë, që ushtron veprimtari në proceset e rekrutimit, shkollimit, trajnimit dhe ngritjes në gradë të punonjësve të policisë dhe të gardës.
Gjithashtu, në nenin 10 të projektligjit propozohet që punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të gëzojnë status të veçantë dhe trajtim suplementar edhe pas lënies së detyrës, apo daljes në pension.
Si objekt i punës së Agjencisë parashikohet parandalimi, zbulimi dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici dhe gardë, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. Detyrat e reja të Agjencisë janë vettingu dhe certifikatat e sigurisë.
Agjencia është konceptuar si një strukturë unike dhe e centralizuar me drejtori rajonale që do të shërbejnë si struktura operacionale. Struktura e Agjencisë, së bashku me drejtorin e saj propozohet nga ministri i Brendshëm dhe miratohet nga Kryeministri.
Dallimi tjetër në krahasim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është se sipas përcaktimeve të nenit 22 të projektligjit, të gjithë punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do të gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore, por nën kontrollin dhe urdhrat e prokurorit.
Agjencisë i jepet edhe e drejta që për të ushtruar detyrat e saj të kryeje përgjime ambientale, por jo të kanaleve elektronike, si telefonat, rrjetet sociale, adresat e-mail. Ka të drejtë gjithashtu që në ushtrim të detyrave të saj të “infiltrojë punonjës” në struktura të tjera policore, që janë nën mbikëqyrjen e Agjencisë.
Para deputetëve, ministri Çuçi tha se janë disa indikatorë që e bëjnë të domosdoshëm rishikimin e ligjit apo të akteve nënligjore ekzistuese, si reforma në drejtësi, përgjegjësia e realizimit të vettingut ndaj subjekteve, rikonceptimi me standarde i statusit të punonjësit dhe i gjithë shërbimit (Agjencisë), hapja e rrugës për investime në fushën e teknologjisë, IT, ndryshimi i ligjit të policisë gjyqësore, krijimi i institucioneve të reja të akuzës si SPAK e BKH.
Projektligji, sipas ministrit Çuçi do të ofrojë mundësinë për ngritjen e një agjencie inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të saj, duke e përafruar me agjencitë e tjera homologe të vendeve anëtare të BE.
Gjithashtu, propozimet e këtij projektligji synojnë të zgjerojnë dukshëm objektin e veprimtarisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke përfshirë vettingun e policëve, procesin e rekrutimit dhe të pajisjes me certifikata sigurie, hetimet disiplinore dhe ekzaminimet poligrafike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje