Adoleshentët në Shqipëri janë viktima të bulizmit kryesisht nga bashkëmoshatarë të tyre dhe diçka e tillë ndodh zakonisht në shkolla.
Kjo është ajo çfarë bëhet me dije në studimin kombëtar mbi bulizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në sistemin arsimor shqiptar.
Studimi, i realizuar nga Instrumenti Horizontal i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë përpiqet të sigurojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të shpeshtësisë, shkallës dhe natyrës së bulizimit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri.
Studimi përfshiu 2377 nxënës nga klasa e IV-të deri në klasën e XII-të, 3560 mësues dhe 970 prindër nga 144 shkolla në 12 rrethe të Shqipërisë.
Afërsisht 19.4 % e nxënësve pohuan se janë të përfshirë në fenomenin e bulizmit 2-3 herë në muaj ose më shumë dhe më tej 29% vetëm një ose dy herë në muaj.
Në përgjithësi, 9.7% e nxënësve e konsideruan veten viktima të ngacmimit, 5.2% pranuan se kishin ngacmuar nxënës të tjerë dhe 4.3% kishin përjetuar të dyja, ngacmimin dhe të qënit viktimë e këtij fenomeni.
Në tërësi, 60% e mësuesve konsideruan se ngacmimi ishte i pranishëm në shkollat e tyre përkatëse dhe 23% e prindërve pranuan se fëmijët e tyre kishin qenë viktima të bulizmit në kohë të ndryshme dhe shkallë të ndryshme në shkollat e tyre.
Rreth 78% e mësuesve konfirmojnë se “bien dakord” dhe “plotësisht dakord” se bulizmi verbal është forma më e përhapur e ngacmimit në shkollën e tyre, e ndjekur nga bulizmi psikologjik me 61% të rasteve.
Pothuajse gjysma e mësuesve (51%) konfirmojnë se bulizmi virtual është forma më e shpeshtë që ndodh në shkollat e tyre. Në perceptimet e mësuesve, format e tjera të bulizmit racor dhe seksual ishin më pak të njohura.
Djemtë, më të përfshirë në bulizëm
Djemtë ishin më të përfshirë se vajzat në ngacmime dhe, interesante është, se ata e perceptonin veten kryesisht si ‘ngacmues’ (68%) sesa viktima të bulizmit (52%). Përkundrazi, 48% e vajzave e perceptonin veten si viktima të bulizmit, ndërsa 32% e konsideronin veten si ‘ngacmuese’.
Bulizmi, kryesisht tek mosha 15-16 vjeç dhe zonat urbane
Lidhur me marrëdhënien e moshës, bulizmi ishte kryesisht i dukshëm tek fëmijët e moshës 15-16 vjeç, të ndjekur nga ata të moshës 10-11 vjeç. Për më tepër, kishte prova të një prevalence më të lartë të bulizmit në mesin e nxënësve nga zonat urbane krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre nga zonat rurale (përkatësisht 20% përkundrejt 17%).
Vendet ku ndodh ngacmimi
Vendet specifike më të shpeshta ku ka ndodhur ngacmimi përfshinin klasat në kohën kur mësuesit nuk ishin të pranishëm (39%), pasuar nga zonat e argëtimit (hapësirat e sporteve dhe këndeve të lojërave) (38%). Për më tepër dhe çuditërisht, 13% e studentëve raportuan se bulizimi kishte ndodhur në klasa edhe në prani të mësuesve.
Llojet më të shpeshta të bulizmit
Sa i përket llojit të ngacmimit, bulizmi psikologjik ishte forma më e raportuar (45%), e ndjekur nga bulizmi verbal (37%), ngacmimi fizik (33%) dhe bulizmi virtual/kibernetik (15%).
Në lidhje me “përcaktuesit” e këtij fenomeni, pamja fizike (73.4%), gjuha dhe vështirësitë në të folur (67.6%) dhe prania e nxënësve fizikisht më të dobët (62.2%) u konsideruan nga mësuesit si faktorët kryesorë nxitës të bulizmit nëpër shkolla.
Analiza për dallimet gjinore tregon se në lidhje me format më të shpeshta të bulizmit, nuk ka dallime gjinore; megjithatë, bulizmi social është më i përhapuri tek djemtë me 24%, përkundrejt 15% të vajzave, si dhe bulizmi seksual i raportuar nga 24% e djemve dhe 13% e vajzave.
Format e bulizmit për vajzat që raportuan se ishin ngacmuar 2-3 herë në muaj ose më shumë ishin psikologjike 54%, verbale (41%), fizike (34%), seksuale (18%), etj. Ndërsa për djem që ngacmohen 2-3 herë në muaj ose më shumë, format e bulizimit ishin psikologjike (49%), verbale (49%), fizike (38%), seksuale (30%), etj. Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje