Komunitet

Auditi në bregdet dhe zona të mbrojtura: Agjencitë lejuan e legalizuan ndërtimet pa leje

Boshllëku ligjor, mangësitë në vendimet e Këshillit të Ministrave dhe përplasja mes tyre ka lënë shteg që Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura të lejojnë ndërtimet pa leje në pronat publike, madje duke dhënë dritën jeshile edhe për legalizimin e tyre.

Dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit për këto dy agjenci gjejnë problematika të shumta. Sa i takon AKB-së, audituesit thonë se që prej krijimit të saj në 2014 deri në vitin 2020, kjo agjenci ka funksionuar e përgjysmuar pa një rregullore të qartë të brendshme, me mungesë stafi dhe deri në gjysmën e vitit 2019 thjesht si vrojtuese e bregdetit, pavarësisht se ligji i jep tagër edhe menaxhimi dhe gjobitjeje.

“Është konstatuar se, që nga themelimi i AKB-së në vitin 2014, Drejtoria e Planifikimit dhe Menaxhimit Territorial të Zonave Bregdetare nuk kishte funksionuar dhe kishte mbetur vakant për 5 vite deri në 2020, duke mos u plotësuar me Drejtor, përgjegjës sektori dhe specialistë. Po ashtu, Drejtoria e Legjislacionit dhe Monitorimit, që prej vitit 2016 nuk ishte plotësuar me Drejtor dhe në përbërje të saj vepron vetëm një specialiste/juriste. Veprimtaria e këtyre dy drejtorive të strukturës qendrore të AKB-së lidhet drejtpërdrejt me funksionet bazë saj dhe mungesa e burimeve njerëzore, si drejtuese ashtu edhe profesionale në këto dy drejtori, e ka penguar ushtrimin e plotë të përgjegjësive dhe detyrave në fushën e menaxhimit bregdetar”, thotë KLSH.

Për pasojë, audituesit thonë se nuk rezulton që nga AKB-ja të jetë miratuar një plan strategjik institucional si dhe të jetë angazhuar plotësisht në produkte të tilla si strategji kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit apo një master plan për zhvillimin e bregdetit.

KLSH vëren se mungesa e një strategjie kombëtare dhe masterplani për zhvillimin e bregdetit bie ndesh me standardet e BE-së dhe me konventën e Barcelonës për menaxhimin e integruar të Mesdheut, që Shqipëria e ka ratifikuar.

Është gjetur gjithashtu se rregulloret për administrimin e hapësirave publike nuk janë të përditësuara me ndryshimet e reja në terren dhe nuk janë në përputhje me hartat e plazheve të miratuara nga Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik.

“Në mungesë të miratimit të këtyre rregulloreve, bëhet një shpërndarje e pa planifikuar e plazheve, e cila ndryshon nga viti në vit. Për rrjedhojë, si nga bashkitë ashtu edhe nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit bëhet i vështirë identifikimi i saktë dhe në kohë si i stacioneve të plazhit ashtu edhe hapësirës publike të plazhit duke sjellë problematikat e shfrytëzimit nga stacionet e plazhit të një sipërfaqeje përtej asaj të kontraktuar me bashkitë, me pasojë rritjen e informalitetit për të ardhurat e bashkive dhe moszbatimin e kritereve ligjore nga ana e stacioneve të plazhit”, thotë raporti.

Problematika tjetër që është gjetur lidhet me hapësirat publike në plazhe që jepen nga bashkitë për shfrytëzim. KLSH thotë se ka gjetur raste kur subjektet private shfrytëzojnë deri në dyfishin e hapësirës së marrë me kontratë qiraje nga ana e bashkive dhe shkelin kriteret e sigurisë.

Për këtë pjesë, KLSH nuk fajëson AKB-në, që thotë se nuk ka pasur atributet e një institucioni inspektuar me të drejtën e vendosjes së gjobave, por ka luajtur deri në 2019-n një rol thjesht monitorues.

“Konstatohet se veprimtaria e AKB-së, për shkak të bazës së kufizuar ligjore duke vepruar thjesht si agjenci monitoruese, nuk ka qenë e integruar me objektivat e Konventës të Barcelonës, kjo edhe për arsye se në Shqipëri nuk ekziston një strategji kombëtare apo ligj i posaçëm për menaxhimin e integruar të bregdetit në kundërshtim me Direktivën 413/2002 të BE-s për Menaxhimin e Integruar të Bregdetit dhe Konventën e Barcelonës mbi Menaxhimin e Integruar të Bregdetit, ku Shqipëria ka aderuar në vitin 2010”, vëren KLSh.

Por, edhe pas marrjes së kompetencave përmes kuadrit ligjore dhe vendimeve të Qeverisë për vendosje gjobe AKB nuk e ka kryer këtë funksion, të paktën deri në mes të vitit 2020 për mungesë të rregullave të brendshme.

“Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk kishte hartuar formatet standarde të mënyrës sesi do të realizohej inspektimi, niveli i gjobave të vendosura dhe kategorizimin e masave administrative për çdo shkelje të konstatuar”, thotë KLSh.

Vlerësime fiktive dhe qindra leje ndërtimore në zonat e mbrojtura

Raporti i dytë i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhet me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Audituesit vërejnë në këtë agjenci shkelje të shumta të ligjeve, vendimeve të Këshillit të Ministrave, jo vetëm duke lejuar ndërtimet në zonat që administron, por edhe duke u dhënë një dorë në legalizimin e tyre nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në auditim është përfshirë veprimtaria e agjencisë dhe inspektorëve të saj në disa zona të mbrojtura kombëtare. Shkeljet, sipas raportit të KLSH-së janë flagrante.

KLSH thotë se në zonat e mbrojtura të Liqenit të Ulzës dhe Korab-Koritnik në Dibërë, janë identifikuar 67 objekte informale të ndërtuara, për të cilat AKZM ka dhënë dritën jeshile për futjen e tyre në proces legalizimi.

Në zonën e mbrojtur të Shirokës në Velipojë, KLSh ka identifikuar 31 objekte të tilla, ndërsa rekordin e mban zona e mbrojtur në Pogradec, ku janë 432 objekte, që nga banesa deri te ndërtime për aktivitete biznesi.

KLSH thotë se AKZM nuk ka informacion për të gjitha këto ndërtime, as për identifikimin dhe ndjekjen e tyre sipas procedurave ligjore. Ligji ngarkon Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, që merret me procesin e legalizimeve, që për çdo ndërtesë informale të ngritur në zonat e mbrojtura të dërgojë një shkresë në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrotura për verifiki. Në varësi të përgjigjes që mbërrin nga AKZM varet i gjithë procesi i legalizimit.

KLSH thotë se edhe në rastet e dosjeve ku AKZM ia ka hapur rrugë legalizimit të këtyre ndërtimeve ai ka qenë fiktiv dhe me mangësi të theksuara në dokumentacion.

“AKZM në përputhje me legjislacionin në fuqi jep miratimin, ose jo për pajisjen me certifikatë pronësie nga ASHK të ndërtimeve informale brenda zonave të mbrojtura, por nga auditimi konstatohet se në 7 dosje nuk ka dokumentacion argumentues ligjor si: verifikim nga specialistët përkatës; hartën e vendndodhjes me formatin dixhital (AGIS) për të vërtetuar pajisjen me leje mjedisore për të proceduar me lëshimin e certifikatës së pronësisë”, vëren KLSH.

Ndërtimet janë njëra prej problematikave. Problematika tjetër e gjetur nga KLSH është edhe mangësia e theksuar e dokumentacionit të shpenzimeve dhe tenderave. KLSH thotë se në të paktën 41 raste, AKZM ka pranuar fatura tatimore të pakonfirmuara, me mangësi dhe shpesh kontradiktore në përcaktimet e blerësit/klientit dhe të shitësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë