Politike

Basha: I kam hyrë në hak Zotit, por Berishës jo. Ai s’ka mbifuqi ligjore për Kuvendin, po e çon PD në greminë për hallin e vet

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp me drejtuesit e PD, Gazment Bardhi dhe Grida Duma, për të thënë se tre komisionet hetimore të kërkuara nga PD-ja do të marrin udhë në Kuvend.

Krahas fillimit të punës për komisionin hetimor për zgjedhjet, Basha tha se edhe dy komisionet e tjera të kërkuara ajo për inceneratorët dhe Becchettin do të ngrihen pavarësisht se ka përpjekje, sipas tij, nga kryeministri Edi Rama për t’i penguar ato.

Megjithatë, vëmendjen e konferencës e mori çështja “Berisha”, ku Basha u pyet gjatë mbi lëvizjen e Berishës për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, vendimit që ai mori ndaj tij dhe arsyet se pse, por edhe faktit se Berisha tashme nuk mbështet më vettingun e politikanëve një draft që ai e kish firmosur bashkë me Bashën në vitin 2018.

“Cdo alibi, shpifje, trillim të kundërshtarit tim politik që tani fatkeqësisht e dëgjoj nga goja e Sali Berishës apo disa pseudo mbështetësve të tij që merak të vetëm kanë nxjerrjen e inatit pavarësisht kostos që i sjell demokratëve për të cilët as ia kanë ditur asnjëherë madje as këto palë zgjedhje rrezik s’kanë votuar ose kanë dalë kundër demokratëve tregon që kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i Perëndisë, vetëm i Zotit.

Siç gjykoj që çdo njeri duhet të përpiqet që frikë të ketë vetëm Zotin, asgjë tjetër.

Dhe me thënë të drejtën Zotit mund t’i kem hyrë në hak por Sali Berishës jo.

Për 3 muaj kam bërë çmos me përpjekjen time dhe kam investuar gjithçka timen për ta zgjidhur këtë çështje.

Jam ulur shumë herë me Sali Berishën për të arritur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD.

Në fakt kam pritur që siç kishte deklaruar vetë këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përfshirë as PD as grupin parlamentar të PD.

Kur këtë vendim nuk e konkretizoi me hapin që do ta bënte ndryshimin midis fjalës dhe veprës, kam marrë vendimin, të vetmin vendim që ishte në favor në radhë të parë të PD dhe interes të demokratëve dhe mbi të gjitha të Shqipërisë e cila s’ka shpresë pa një PD të fortë të vendosur dhe të bashkuar”, tha Basha. Kryetari i demokratëve u tha gazetarëve se Berisha po përpiqet të marrë peng partinë vetëm për interesat e tij personale .

“Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë armiku.

Vetëm 3-4 muaj më parë ne kishim zgjedhje për kryetarin e PD dhe çdokush mund të kandidonte, cdokush mund të mbështeste çdo kandidat siç e kanë rregullat dhe statuti dhe siç është demokracia jonë e brendshme.

Dhe rezultati dihet, dihet mbështetja dërrmuese që kam marrë nga demokratët.

Tani më thoni pak çfarë ka ndryshuar që atëherë përves interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë.

Unë nuk jam përgjigjur e s’kam ndërmend t’i përgjigjem gënjeshtrave flagrante që thuhen kundër meje”, tha ai.

Pse në këtë kohë vettingu i politikanëve, kur nuk ka as mbështetjen brenda grupit?

“Duhet të themi dhe një herë diçka për njerëzit që nisma jonë është e vitit 2018, jo e javës së kaluar. Ajo çfarë po ndodh sot është që ne kemi marrë të njëjtin propozim firmosur nga opozita e kemi reflektuar të gjithë vërejtjet e kërkesat e Venecias, kaq ka ndodhur.

Unë i qëndroj firmës sime të shtator- tetor 2018, nëse dikush tjetër i qëndron apo ka ndryshuar mendim kjo është cështje e çdokujt tjetër.

Unë, me depolitizimin që i kemi bërë kërkesës për vettingun e politikanëve në përputhje me rekomandimet e Venecias, konfirmojmë atë që kemi kërkuar prej 2018 por të plotësuar me gjithë aspektet që ka kërkuar Venecia të adresohen.

Kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë tërheqje nga kjo, është pjesë e amendamenteve kushtetuese që janë dorëzuar e ka zero tërheqje”, u përgjigj Basha

Kryetari i demokratëve nënvizoi gjithashtu se Kuvend Kombëtar të PD-së nuk do të ketë pavarësisht paralajmërimit të Berishës.

 “Ju duhet të besoni të vërtetën. E vërteta është fare e thjeshtë. Unë kam thënë që detyra e kryetarit të partisë është respektimi i statutit. Neni 3 i statutit është i qartë për orientimin pro-perëndimor të Partisë Demokratike.  Kam thënë që Kuvend Kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të pasur kurrë. Qëllimi im së paku është të përfundojë mandatin e dhënë nga anëtarësia e Partisë Demokratike në rrëzimin e Ramës.

Ajo që duhet t’ju habisë ju, sic më ka habitur mua, është që njeriu që bërtet statuti statuti, shpall dhe i jep vetes kompetenca që nuk i ka dhe s’mund t’i ketë.

Sali Berisha s’ka ndonjë mbifuqi nga statuti i partisë për të thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj. Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele, në përpjekjen e tij për ta bërë partinë e tij bunker në hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera.

Kuvend kam thirrur thërras e do thërras për të vendosur për çështje statutore, por bunker nuk thërras dot. Cilido qoftë t’i drejtohet institucionit të partisë dhe jo bunkerit” , tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë