Sport

Kombëtarja e boksit shkon kundër dëshirës në Beograd, pritet me vërshëllima

Në Beograd ka nisur të dielën Botërori i Boksit, ku përfaqësuesja e Kosovës nuk është lejuar të marrë pjesë. Në shenjë proteste, nga ky aktivitet u tërhoq edhe kombëtarja shqiptare e boksit, por presioni i Federatës Ndërkombëtare të Boksit për përjashtim deri në 10 vjet ka bërë që boksierët kuqezinj të shkojnë në Serbi kundër dëshirës.

Sipas “Evropaelire”, ka pasur edhe një nxitje nga qeveria shqiptare për të mos e braktisur këtë aktivitet. “Na është thënë se, nëse nuk marrim pjesë, do të ketë sanksione me 10 vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, – është shprehur për “Evropaelire” kapiteni i Kombëtares shqiptare të boksit, Nelson Hysa.

Nelson Hysa, kapiteni i Kombetares se boksit. Gazeta Si, 25 tetor 2021

Ai ka bërë të ditur se gjatë ceremonisë së hapjes së aktivitetit, teksa po parakalonin sportistët shqiptarë, ka pasur vërshëllima dhe hedhje sendesh të ndryshme. “Këtu jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte vërshëllima dhe gjuajtje. Në hotel ka qëndruar edhe policia për shkak të sigurisë sonë”, – ka shtuar më tej Hysa.

Kosova ka mbetur përfundimisht jashtë aktivitetit. Në Botërorin e boksit ajo do të përfaqësohej me tre boksierë, Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë