Kuvendi ka përfshirë që në datë 8 tetor në procedurat e shqyrtimit parlamentar projektligjin për paditë kolektive, një kërkesë e hershme e shoqërisë civile, por e zvarritur prej kohësh nga legjislativi. Gazetasi.al mëson se Komisioni i Ligjeve do të nisë shqyrtimin e tij në kalendarin e ardhshëm trejavor të punimeve.
Projektligji parashikon për herë të parë ngritjen e institucionit të padisë kolektive në vendin tonë, që u jep të drejtë, mes të tjerash, punonjësve të kompanive dhe institucioneve me më shumë se 50 punonjës që të ngrenë një padi të vetme.
Kjo formë u jep më shumë mundësi që të shmangin zvarritet në procese gjyqësore vetjake të pafundme për të gjetur të drejtën për të njëjtin objekt padie.
Projektligji është hartuar nga 73 organizata dhe shoqata të shoqërisë civile dhe i është propozuar Kuvendit që në legjislaturën e kaluar. Por, ai nuk u përfshi në kalendarin e punimeve asnjëherë, as kur në mbledhjet e fundit të komisionit të ligjeve, të drejtuar në atë kohë nga deputeti Ulsi Manja, sot ministër i Drejtësisë, propozohej nga ish-deputetja Vasilika Hysi.
“Është një projektligj që është kërkuar prej disa muajsh të shqyrtohet, të futet në kalendarin e punës së Kuvendit të Shqipërisë. Nisur nga rëndësia që ligji ka për qytetarët për të shmangur zvarritjet në gjykata, trajtimet individuale të kërkesave ose ankesave për shkeljen e të drejtave të tyre, ligji “Për paditë kolektive” besoj që do të ishte e mira të ishte futur në kalendar”, deklaronte Hysi.
Por, që nisma e shoqërisë civile të merrej në shqyrtim dhe të përfshihej në kalendar duhej firmosur nga të paktën një deputet i Parlamentit, kusht që megjithëse siç, Hysi ka deklaruar në këtë mbledhje është diskutuar muaj më parë me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, nuk u plotësua.
“Në fakt, projektligji “Për paditë kolektive” nuk është depozituar në Kuvend nuk është materializuar si nismë në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, deklaronte Ulsi Manja, ish-kreu i Komisionit të Ligjeve, duke ja kaluar projektligjin Kuvendit aktual.
Për këtë arsye, projektligji iu trashëgua Kuvendit aktual dhe sot me firmën e deputetes socialiste dhe kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka është përfshirë në procedurat e shqyrtimit parlamentar.
Padia kolektive është një mjet ligjor nëpërmjet së cilit një subjekt (organizatë jo-fitimprurëse apo përfaqësues ligjor) mund të ngrejë një padi në Gjykatë në emër të një grupi personash të dëmtuar, për të përfituar dëmshpërblim për veprimet e vendimet e paligjshme të një ndërmarrje të caktuar.
Kjo formë padie ka disa dobi, që nga shmangia e padive individuale për të njëjtin vendim e veprim të paligjshëm, realizon interesat e një grupi më të madh individësh pa shpenzime monetare dhe kohore për ta, mundëson që të gjithë individët e dëmtuar nga një sjellje e paligjshme e një ndërmarrje që ofron mallra, ose shërbime, ose nga punëdhënësit që të dëmshpërblehen pa pasur nevojë që të ngrenë personalisht padi në gjykatë.
Gjithashtu, këto padi ndihmojnë edhe në uljen e ngarkesës që kanë gjykatat, në një kohë që përballen me mungesë burimesh njerëzore për shkak të procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi.
Ngritja e këtij instrumenti ka qenë ndër vite edhe rekomandim i Bashkimit Europian. Në BE, të gjitha vendet anëtare e kanë të parashikuar, disa të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, të tjera në formën e një ligji të veçantë. Në relacionin shoqërues në rastin e Shqipërisë është zgjedhur rruga e dytë, pra ajo e miratimit përmes një ligji të veçantë dhe jo duke ndërhyrë në Kodin e Procedurës Penale, që do të kërkonte shumicë të cilësuar votash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje