Politike

Basha publikon në Kuvend raportet për korrupsionin: Shqipëria mes vendeve afrikane

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka akuzuar qeverinë të drejtuar nga Edi Rama se e ka kthyer vendin në një republikë bananesh për shkak të krizës së korrupsionit.

Raportet e fundit të agjencive ndërkombëtare mbi sundimin e ligjit dhe koprrupsionin në vend, ishin në fokus të diskutimeve të krydemokratit në Parlament.

Basha ka bërë publike në raport raportin e institutit ndërkombëtar “World Justice Project”, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e fundit në Europë për shtetin e së drejtës.

“World Justice Project publikoi indeksin e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës për 2020-2021, ku Shqipëria renditej e fundit në Europë dhe e 83-ta nga 139 shtete të rruzullit. Vendi ynë ndodhet mes Algjerisë dhe Surinamit, shtet të cilin e mbaj mend nga vitet e studimit në Holandë, si vendi me një president në kërkim ndërkombëtar të akuzuar për korrupsion, trafik droge dhe vrasje politike”.

Shqipëria, tha Basha, nën drejtimin e Ramës është kthyer në një shtet të kapur nga korrupsioni. “Përtej revoltës që mund të shkaktojë pozicioni ku kjo qeveri e ka zhvendosur vendin, në këtë gjeografinë e republikave të bananeve, këto renditje janë pasqyimi i gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria sot, – tha Basha. – Me pasoja që lexohen qartë në krizën ekonomike, politike, sociale dhe demografike, që në thelb është një krizë korrupsioni, e cila pengon vendin të ecë përpara”.

Sipas Bashës, korrupsioni gjendet kudo, “te çmimet e energjisë, te ato të karburanteve, te mungesa e ilaceve nëpër spitale, te mungesa e vendeve të reja të punës, te pagat dhe pensionet e ulta, te listat e gjata nëpër ushqimore, te produket që flaken në kanale, te prona e mohuar dhe e pakompensuar, te krimi që merr për kot, te varfëria që rritet”.

Është pikërisht kjo arsyeja, “te radhët e të rinjve dhe të rejave te ambasada gjermane, apo te pritja plot ankth e llotarisë amerikane. Nuk është e mjaftueshme të flasësh për korrupsionin dhe të denoncosh atë. Ai duhet mposhtur”, – vijoi ai.

PD ka depozituar zyrtarisht në Kuvend amendamentet kushtetuese në lidhje me 3 prioritete absolute për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga depresioni dhe kriza.

“Këto tre çështje kryesore që pasqyrohen në amendamentet tona kushtetuese, kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, në të gjitha aspektet e saj, për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe demokracisë, – u shpreh kryetari i PD. – Me Reformën Territoriale, për të zhbërë dështimin katastrofik të reformës elektorale, që u hoqi shqiptarëve 25 vite progres të ngadaltë në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal, duke e larguar shërbimin nga qytetarët”.

Më pas, Lulzim Basha bëri thirrje për rëndësinë e vettingut në politikë. Ai theksoi se PD-në nuk do ta ndalë askush për të pastruar politikën, që sipas tij do t’i japë njëherë e mirë fund tranzicionit.

“Ne e kemi hedhur hapin e parë. Kundërshtarët e egër të këtij propozimi janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë, për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me krimin”.

Basha shtoi se debate nuk do të mungojë, pork jo nuk do ta pengojë atë të luftojë, qoftë edhe “kundër opozitës së opozitës, që e kanë sport kombëtar, të cilët, pasi për tre dekada kanë lëshuar romuze kundër politikanëve, nëpër kafe apo emisione, e sot kanë zhvilluar empati dhe dhembshuri për politikanët që do të kalojnë sitën e vettingut”.

Për Bashën, vetting në politikë është një emergjencë kombëtare, “një gjendje e jashtëzakoshme që kërkon mjete të jashtëzakoshme për zgjidhjen e saj. Asgjë nga këto nuk do të ketë rëndësi për ne, sepse këto nuk janë prioritete të Partisë Demokratike, por prioritete të qytetarëve të këtij vendi që duan t’i japin fund lidhjes së politikës me krimin, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë të zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar, që duan ta shohin Shqipërinë të përparojë drejt Bashkimit Europian, e jo të konkurojë me shtetet e Unionit Afrikan, në listën e zezë të vendeve të korruptuara dhe autoritariste”, – vazhdoi Basha në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë