Ne rrjet

E mitura humbi jetën nga etja, dënohet me 10 vjet burg gruaja gjermane e ISIS-it

Një grua 30-vjeçare gjermane, Jennifer Wenisch, u dënua me 10 vjet burg për shkak se lejoi një vajzë 5-vjeçare të vdiste nga etja në Irak. Militantja islamike e shpallur fajtore nga Gjykata në Mynih, Gjermani, iu bashkua ISIS-it në vitin 2013. 

Dy vjet më vonë, në Falluxha, Irak, ajo nuk kishte asnjë kundërshtim kur burri i saj, Taha Al-Jumailly, një militant i Shtetit Islamik, kishte lidhur me zinxhir fëmijën yazide në oborrin e shtëpisë së tyre, nën diell, duke e lënë atë të vdesë nga etja.

Sipas dosjes hetimore, vendimi për të ndëshkuar fëmijën, është marrë, pasi e mitura u konsiderua “fajtore” për lagien e dyshekut. Gjyqi filloi në vitin 2019. Tani, gjyqtari Joachim Baier, e ka dënuar gruan për mbështetjen e një grupi terrorist, kontributin në tentativën e vrasjes dhe tentativën për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit. 

Prokuroria pretendoi se Wenisch, ishte pjesë e strukturës komanduese të organizatës terroriste, e cila në qershor 2014 shpalli lindjen e Kalifatit. Në vitin 2015, si oficere e policisë morale, ajo kishte patrulluar parqet e Falluxhës dhe Mosulit në kërkim të grave që nuk ishin në përputhje me kodet e sjelljes dhe veshjes të vendosura nga ISIS.  Në vitin 2016, ajo u arrestua në ambasadën gjermane në Turqi, ndërsa përpiqej të rinovonte kartën e saj të identitetit.

Në leximin e aktgjykimit, shumë më i lehtë se dënimi i përjetshëm i kërkuar nga prokurori, gruas nuk i bëri përshtypje. “Fëmija ishte i pafuqishëm dhe u la vetëm në një situatë të padurueshme, – tha gjykatësi, duke iu drejtuar të akuzuarës, sipas raporteve nga agjencia e lajmeve Dpa. – Ajo duhet ta dinte që në fillim se vajza e vogël mund të vdiste”.

Wenisch dhe Al-Jumailly, e kishin blerë të miturën për ta përdorur si skllave. Burri po përballet me një tjetër gjyq në Frankfurt dhe dënimi pritet në fund të nëntorit. 

Ajo e yazidëve është një pakicë fetare që ndërthur elemente të Krishtërimit, Manikeizmit, Judaizmit dhe Islamit. Për ISIS-in, komuniteti yazid janë adhurues të djallit.

Shteti Islamik është përgjegjës për vdekjen e të paktën 3,000 yazidëve dhe për skllavërimin e të paktën 7,000 përfaqësuesve të tjerë të kësaj pakice.

Sipas magjistratëve gjermanë, dënimi është veçanërisht i rëndësishëm, sepse dënoi një person që i kishte kryer ato jashtë territorit gjerman për krime kundër njerëzimit, duke u mbështetur në parimin e juridiksionit universal që lejon ndjekjen e krimeve të luftës, përfshirë gjenocidin, që ndodhi jashtë vendit. 

Sidoqoftë, ky nuk është dënimi i parë: në tetor 2020 një gjermano-tunizian ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg për skllavërimin e një yazidi të ri në Siri.

Ishte nëna e fëmijës, Nora, ajo që kishte sjellë në vëmendjen e gjyqtarëve gjermanë vdekjen e fëmijës, e mbështetur nga dy avokatë gjermanë dhe juristja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Amal Clooney. 

“Nuk ka dënime mjaft të ashpra, nga pikëpamja e një nëne që ka humbur një vajzë”, tha avokatja e nënës së viktimës, Natalie Von Wistinghause.

Sipas Wenisch, nëna e vajzës ishte “një dëshmitare e pabesueshme”: avokatët e saj argumentuan se nuk ka prova që vajza ka vdekur.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë