Përgjigja e Bashkimit Europian ndaj krizës së koronavirusit “mbyll” hendekun midis Veriut dhe Jugut dhe, ndryshe nga krizat e mëparshme, ngushton hendekun ndërsa ekonomitë e Eurozonës rimëkëmben, thotë Oxford Economics në një analizë të re.
Rimëkëmbja e ekonomive të Eurozonës filloi në të njëjtën kohë, megjithëse vendet e Jugut u goditën më rëndë nga pandemia për shkak të varësisë së tyre të madhe nga turizmi, në ndryshim nga ekonomitë e veriut, të cilat fokusohen më shumë në industri. Studimi thekson se ekonomia e Eurozonës do të mbulojë terrenin e humbur të pandemisë nga fillimi ose mesi i vitit 2022.
“Shpejtësia, shkalla dhe natyra e masave mbështetëse ishin vendimtare” thanë analistët e Oxford Economics, duke shpjeguar se pezullimi i rregullave fiskale të BE-së i lejoi qeveritë t’i përgjigjeshin fuqishëm krizës, ndërsa mbështetja monetare nga Banka Qendrore Europiane parandaloi presionet financiare mbi ekonomitë e rajonit.
Ndërsa në fazat e hershme të rimëkëmbjes, sektori i prodhimit reagoi fuqishëm në të gjithë Eurozonën, problemet e zinxhirit të furnizimit tani po ndikojnë negativisht në vendet e industrializuara veriore.
Nga ana tjetër, shpërndarja e koordinuar e vaksinave në vendet e BE-së lejoi hapjen graduale të ekonomive në verë, me rikthimin në funksion të sektorëve të shërbimeve dhe veçanërisht të turizmit në jug. Oxford Economics vlerëson se sektori i shërbimeve do të kapërcejë nivelet para pandemisë deri në fund të vitit 2022 dhe do të luajë një rol të madh në rimëkëmbjen në tremujorët e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, Fondi i Rimëkëmbjes po promovohet nga Oxford Economics si një mundësi tjetër për vendet jugore për të përshpejtuar kthimin e tyre në ekonomitë para pandemisë. Deri më tani, ndikimi kryesor i Fondit është i kufizuar në pjesën e besimit, por ndërsa fondet do të fillojnë të rrjedhin, në tremujorët e ardhshëm, vlerësohet se ato do t’i japin shtysë rritjes, veçanërisht në Itali, Spanjë, Portugali dhe Greqia.
Faktorë të tjerë që do të përshpejtojnë rimëkëmbjen dhe ndoshta do të zvogëlojnë hendekun Veri-Jug në të ardhmen janë rritja e konsumit, pasi familjet e Eurozonës do të fillojnë të shpenzojnë një pjesë të kursimeve. Sipas Oxford Economics, konsumi do të arrijë nivelet e para krizës në tremujorin e parë të 2022. Por sfidat e reja, si rritja e kostove të energjisë, mund të lënë në hije perspektivën për shpenzimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje