Partia Socialiste është gati si për zgjedhjet e pjesshme vendore, nëse Presidenti Ilir Meta do t’i dekretojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e 30 qershorit 2019, por edhe për të ngritur komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, që socialistët këmbëngulin që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Ne jemi gati edhe për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do t’i dekretojë ato. Kjo është një çështje që do të qartësohet pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk ka pse të vonojë me vendimin, sepse opinioni i Venecias ishte shumë i qartë. Kjo do të thotë se brenda 45 ditësh, siç e ka Kushtetuta, Presidenti duhet të dekretojë zgjedhjet. Ne jemi të gatshëm në çdo moment të marrim pjesë në zgjedhje dhe patjetër ti fitojmë ato”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Sa i takon reformës zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se PS është gjithashtu gati për ngritjen e komisionit bipartizan me PD për këtë qëllim.
“Pas marrjes së kërkesës nga Partia Demokratike, shumë shpejt procedurat parlamentare do të vendosin ngritjen e këtij Komisioni të përbashkët. Unë nuk shoh ndonjë pengesë. Ne e kemi thënë vazhdimisht se çështje për të cilat ka një traditë bashkëpunimi dhe nevoje sikurse janë rekomandimet e OSBE/ODIHR, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe të tjerët duhet të jenë pjesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore”, deklaroi numri 2 i socialistëve.
Gjiknuri nënkuptoi se PS do t’u qëndrojë propozimeve të veta të bazuara, siç tha, te rekomandimet e OSBE/ODIHR. Një prej tyre është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. PS këmbënguli për depolitizimin e administratës zgjedhore gjatë diskutimeve të vitit të kaluar që prodhuan marrëveshjen e 5 qershorit, por PD e kundërshtoi duke deklaruar se Shqipëria nuk ishte gati për këtë hap.
PS propozoi që numëruesit dhe komisionerët të përbëhen nga mësues, mjekë dhe punonjës të tjerë të administratës civile, ndërsa PD u shpreh skeptike me pretendimin se para këtij hapi më parë duhet depolitizuar vetë administrata shtetërore, që opozita akuzon se është e politizuar nga socialistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje