Analiza e Qeverisë për gjendjen e ujësjellësave është më shumë se e zymtë. Mbledhja e kësaj të premteje me kryebashkiakët, e thirrur nga Kryeministri Edi Rama nisi me një rezyme të prezantuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Performanca e ujësjellës-kanalizimeve në të gjitha bashkitë mbetet e dobët. Të gjitha shifrat janë jo në përputhje me shifrat e investimeve në ndërmarrjet tuaja. 39 për qind e ndërmarrjeve furnizojnë më pak se 10 për qind, 28 për qind kanë një nivel të humbjeve mbi 67 për qind dhe një fenomen shqetësues është që në ato ujësjellës ku ne investojmë, kemi pasur madje rritje të humbjeve. Ndërkohë që investohet, rritet përqindja e ujit të papaguar dhe kjo është ajo sasi që vidhet në rrjet, ose që humb për shkaqe teknike. Duke u përballur me këtë fakt na lind e drejta të mendojmë që ka keqmenaxhim nga drejtuesit e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve”, tha Balluku.
Ndryshe nga Balluku, Kryeministri Edi Rama ishte më i ashpër. Ai nënkuptoi se kryebashkiakët dorëzojnë në qeveri raporte të rreme në lidhje me performancën e ndërmarrjeve të tyre.
“Shuma që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion janë praktikisht 1.2 miliard euro. A jeni ju në dijeni të performacës se ujësjellës-kanalizime në bashkitë tuaja, të shërbimeve që këto ndërmarrje ofrojnë për qytetarët? Ju i keni parë raportet që pastaj ia jepni qeverisë si vetëdeklarime për performancën? Sa fonde keni alokuar ju nga buxheti juaj për këtë? Ne rrisim investimet ju rrisni humbjet. 79 për qind janë humbjet në Bashkinë e Vlorës, një piramidë që merr para. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori?”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Qeveria do të ndërhyjë në këtë sektor, që mbulohet nga pushteti vendor dhe autonomia që i njihet me ligj. Se në çfarë forme do të ndërhyhet, Rama nuk e shtjelloi më tej, por foli për problematika në punësime, fryrje të administratës dhe mosarkëtime.
“Ne do të ndërhymë dhe do ju lutesha shumë që askush të mëso bëhet pengesë që sistemi të ndryshojë, se veç letrës që thotë se ju jeni autonomë, nuk ka asnjë argument tjetër. Asnjë investim, asnjë përgjegjësi për nivelin mizerabël të burimeve njerëzore, asnjë qindarkë e kredive të marra për ujësjellësit nuk paguhet nga ujësjellësit. Atëherë me çfarë argumenti duhet të vazhdojë kjo histori?”, ka thënë Rama.
“Ju e dini vetë se çfarë bëni, por përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë, që nga drejtuesit te kushdo që ka përgjegjësi administrimi. Rekrutimet për drejtuesit nuk do të bëhen më siç janë bërë deri më tani, nuk do ta lejojmë ne dhe do të kërkojmë edhe ndihmën e partnerëve tanë. Për të bërë një rekrutim serioz për ndërmarrjet. Si mundet që numri i të punësuarve në ujësjellësit e Shqipërisë është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria”, vijoi ai.
Kryeministri deklaroi se abuzimin më të madh nuk e bëjnë familjarët në nevojë, por e bëjnë bizneset e hotelet. “Abuzimin e bëjnë ata që kanë më shumë, jo ata më pak se nuk i vjen ujësjellësve e keqja nga familjet në nevojë”, u shpreh Rama, duke rrëzuar alibinë “sociale” të kryebashkiakëve.
Në fund, Kryeministri u shpreh se një mbledhje e ngjashme do të thirret për çështjen e guroreve. Edhe këtu foli për problematika madhore.
“Sa i përket guroreve, do ju lutesha shumë t’i qëndroni larg guroreve, shumë larg. Këtu shumë shpejt do të jenë kompanitë që shfrytëzojnë malet. Shfrytëzuesit e guroreve duhet ta kuptojnë që, ose do nënshkruajnë marrëveshjen e pyllëzimit, ose të gjitha do mbyllen pa kthim dhe ta harrojnë që mund të përdorin punonjësit që i përdorin si skllevër si mish për top për protesta. Duhet të marrin përsipër të pyllëzojnë sipas kontratës dhe për këtë kanë afat deri më 31 dhjetor”, tha ai.
Në takim merrte pjesë edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje