Bota

A mund të jetë përdorur COVID-19 si armë biologjike? Agjencitë amerikane të zbulimit japin përgjigjen

UASHINGTON – Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të premten se ndoshta nuk do të munden të identifikojnë origjinën e koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19. Ato qarkulluan një version të ri më të detajuar të raportit të tyre ku shqyrtohet nëse koronavirusi u transmetua nga kafshët tek njeriu, apo nëse doli nga ndonjë laborator.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) thotë në një raport të ç’klasifikuar se origjina natyrore apo prejardhja nga një laborator janë të dyja hipoteza të mundshme se si SARS-COV-2 arriti të infektojë njerëzit.

Raporti hedh poshtë sugjerimet se koronavirusi mund të jetë përdorur si një armë biologjike, duke vënë në dukje se mbështetësit e kësaj teorie “nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë tek Instituti i Virologjisë në Ëuhan” dhe se janë akuzuar për përhapje të dizinformimit.

Raporti i qarkulluar të premten është përditësim i një përmbledhjeje 90-ditore që administrata e Presidentit Joe Biden publikoi në muajin gusht, ndërsa po zhvillohej një betejë e fortë politike se sa duhej fajësuar Kina për efektet e pandemisë globale, në vend të qeverive që mund të mos kenë vepruar me shpejtësinë e duhur për të mbrojtur qytetarët e tyre.

COVID-19 përshkruhej shpesh si “virusi kinez” nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili humbi fushatën për rizgjedhjeje ndërsa pandemia godiste ekonominë amerikane dhe shumë nga mbështetësit e tij.

Raporti i ODNI-së thotë se katër nga agjencitë amerikane të zbulimit dhe një grup pune me pjesëmarrjen e disa agjencive kanë “besim të ulët” në versionin se COVID-19 e pati origjinën tek një kafshë e infektuar ose një virus tjetër i ngjashëm.

Por njëra prej agjencive tha se ka “besim të moderuar” se infektimi i parë i një njeriu me COVID-19 ishte me shumë gjasa rezultat i një aksidenti në laborator, i lidhur ndoshta me ndonjë eksperimentim ose përfshirje të kafshëve në Institutin e Virologjisë në Ëuhan.

Agjencitë amerikane të zbulimit mendojnë se nuk do të jenë në gjendje të japin një shpjegim më të qartë për origjinën e COVID-19-ës pa ndonjë informacion të mëtejshëm që do të tregonte se virusi përshkroi një trajektore të caktuar nga kafshët për tek njerëzit, ose që laboratori në Ëuhan po e menaxhonte këtë virus ose ndonjë virus të ngjashëm përpara se të shfaqej COVID-19ta.

Raporti thotë se agjencitë amerikane dhe komuniteti global shkencor nuk kanë “mostra klinike apo një botëkuptim të plotë të të dhënave epidemiologjike nga rastet më të hershme të COVID-19” dhe shton se do ta rishqyrtojnë këtë konkluzion nëse do të shfaqet ndonjë evidencë e mëtejshme.

Kina është përballur me kritika ndërkombëtare se nuk bashkëpunoi më mirë për hetimin e origjinës së COVID-it.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë