Politike

Kadilli: Basha lolo i shitur te Rama! Mos e dëgjoni

Fatbardh Kadilli e lexon abstenimin e Partisë Demokratike për Eurobondin dhe borxhin 70 milionë euro për nga BERZH si provë e atij që e quan teatër të Partisë Demokratike me shumicën e drejtuar nga Edi Rama.

Për këtë arsye, ai thotë se sot vendi nuk ka opozitë, ndërsa fton që nismën që ka ndërmarrë brenda PD-së – Iniciativa Demokratike (iDE) të mos e shohin si opozitë të opozitës, por si opozita reale e vendit.

“Ajo sot është opozita që mungon, një forcë politike që bën zhurmë dhe teatër, që jeton duke i thurur recitime “të ashpra” Ramës, ndërsa Rama gllabëron pasuritë dhe paratë e Shqiptarëve. 800 milonë eurot do abuzohen nga qeverisja e kalbur e Edi Ramës: do vidhen në tendera, koncesione abuzive, në para që shpërndahen nga qeveria në pak duar. Ramës nuk i mjaftojnë paratë e buxhetit të sotëm, por kërkon të vjedhë edhe paratë e të ardhmes, paratë e fëmijëve tanë, duke marrë borxh”, shkruan Kadilli.

Duke ngritur shqetësimin mbi nivelin e lartë të borxhit, ish-kandidati për kryetar në PD akuzon Qeverinë se po kërkon të verbojë qytetarët me propagandë dhe paralajmëron se gjendja do të shpërthejë shumë shpejt për shkak të pamundësisë së vendit për ta shlyer borxhin e marrë.

“Këtë alarm duhet të ngrejë opozita. Por, opozita nuk ka asnjë kundërshti që Rama të vjedhë edhe të adhmen duke marrë borxh. PD zyrtare ka hequr dorë nga opozita, tani ajo luan teatër. Në këtë pjesë teatrale, Rama i ka caktuar asaj rolin e LOLOS që e argëton mbretin duke bërë gjoja sikur e kritikon”, vijon ai.

Mesazhin e mbyll me thirrjen drejtuar deputetëve të PD, “që nuk duan të jenë pjesë e teatrit që nuk duan të jenë lolo: mos ju bindni udhëheqësve të partisë që i kanë braktisur qytetarët”.

“Votoni kundër projekteve të kësaj qeverie! Kundërshtoni me çdo mjet këtë qeveri! Mos u bëni pjesë e komedisë së batutave dhe lojërave me fjalë! Mos bëni gjoja! Shpëtoni dinjitetin tuaj dhe jepuni shpresë qytetarëve që opozita nuk ka vdekur e gjitha! Që jo të gjithë janë të shitur tek Edi Rama. Që ende ka njerëz të ndershëm në politikë”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë