Bota

Britanikët nuk miratuan protokollet e sigurisë, Erdogan bojkoton samitin në Glasgow

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan ishte në listën e udhëheqësve të vendeve të G20-s që kishte planifikuar pjesëmarrjen në punimet e samitit për klimën COP26 që po mbahet në Glasgow të Skocisë.

Por, në një zhvillim të fundit, udhëheqësi i Turqisë mori avionin dhe fluturoi sërish për në Ankara. Presidenca turke nuk dha asnjë sqarim në lidhje me këtë ndryshim plani.

Në disa media ndërkombëtare nisën hamendësimet se shkak ishte bërë gjendja shëndetësore e Erdogan, që në daljet e fundit publike nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Ai është shfaqur i lodhur dhe i përgjumur në disa takime, të fundit prej të cilave në Afrikë.

Por, sipas mediave në Turqi e vërteta nuk lidhet me shëndetin e Erdogan, por me një përplasje me autoritetet britanike për çështjet e sigurisë së Presidentit.

Duke cituar burime nga Presidenca turke, mediat vendase thonë se autoritetet britanike nuk kishin miratuar protokollin e sigurisë për Presidentin Erdogan dhe në këto kushte, përgjegjësit për sigurinë e tij kanë vendosur që të mos udhëtojnë fare për në samitin e klimës.

Sa i takon klimës, Turqia është zotuar që të arrijë zero emëtime në atmosferë brenda vitit 2053. Zero emëtime në këtë rast do të thotë që një vend të emëtojë gazra serrë në atmosferë po aq sa absorbon. Pjesa më e madhe e vendeve të G20 kanë vendosur si afat për këtë objektiv vitet 2050-2060.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë