Ashtu sic ishte paralajmëruar, në mbledhjen përbashkët të mesditës të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve u diskutua propozimi i Partisë Socialiste për zgjatjen e afateve të vettingut.
Në emër të PD-së, deputeti Alfred Rushaj ka deklaruar se mbledhja duhet të shtyhet pasi kjo çështje duhet të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshimet kushtetuese. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Enkelejd Alibeaj.
“Për sa kohë që është i njëjti trup ku ndërhyhet Kushtetuta, dhe ku kërkohet ekspertizë për nismën tuaj, për nismën tonë, por që edhe për ekonomizim të veprimtarisë dhe të kohës e mbi të gjitha që publiku ta shohë në mënyrë panoramike dhe jo parciale ndërhyrjen eventuale është detyrim kushtetues, rregullores dhe sipas traditës dhe logjike.
Kosto e saj ka dy ditë. Sot dhe nesër sepse të mërkurën në mëngjes, sepse për nismën e PS e keni nxjerrë që të premten, sot duhej të kishit nxjerrë urdhrin që të mërkurën të mblidhet ky format për të trajtuar këtë.
Ftesa jonë bazuar në Kushtetutë, rregullore, traditë në logjikë, është që të mërkurën, po të dyja iniciativat t’i nënshtrohen, trupa e ekspertëve të jetë e njëjtë dhe pyetjet që do t’i bëhen atyre sigurisht do të jenë të tilla që të shihet reflektimi në iniciativat reciproke. Kalendari të jetë i tillë që t’i përmbajë të dyja që kështu të mund t’i japim së paku që në momentin më të parë atë që është Alfa e ndryshimeve kushtetuese, konsenti mbarëpolitik. Kjo është Alfa. Kjo i jep legjitimitet çfarëdolloj ndryshimi eventual nëse do të jetë në Kushtetutë. Kaq e thjeshtë është ajo çfarë kërkojmë ne”, tha Alibeaj.
Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, ka kërkuar që nismat të propozohen veç e veç pasi zgjatja e afateve të vettingut nuk pret.
“Nisma përfshin një grup të caktuar interesi, ku do të kërkohet dhënia e mendimit të tyre. Kjo nismë do të përcaktojë vlerësimin e domosdoshëm të shtyrjes së afateve të institucioneve të vettingut. Nisma e PD në fakt ka të bëjë me shumë çështje brenda saj që do të kërkojnë më shumë kohë. Vetëm para disa ditësh në lidhje me reformën zgjedhore, kolegët e PD kanë paraqitur një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kërkohet kohë dhe konsultim më i gjatë. Ne propozuam që nismat të shqyrtohen veç e veç dhe jo së bashku”, tha ajo.
Pas mungesës së dakortësisë, PD-ja braktisi mbledhjen, ndërsa Alfred Rushaj mbajti të njëjtin qëndrim për mediat si brenda mbledhjes që nismat të diskutoheshin bashkë
Në ndryshim nga PD-ja, LSI-ja ka qëndruar në mbledhje
“Ndryshimet në Kushtetutë janë bërë rutinë, është mungesë serioziteti dhe paaftësi e klasës politike. Ndryshimet nuk mund të vijnë papritur dhe të vihemi përpara faktit të kryer, duhet të jepet koha e domosdoshme, jeni mësuar me një opozitë false me të cilën bëtë ndryshimet e fundit kushtetuese, por realiteti ka ndryshuar, duhet transparencë për këto ndryshime. Mendimi i ekspertëve dhe konstitucionalistëve duhet të prevalojë”, tha deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje