Mbledhja e parë e komisionit hetimor parlamentar të ngritur për koncesionin inceneratorëve ishte një “deja vu” e debateve mes opozitës dhe mazhorancës në komisionin hetimor të ngritur për zgjedhjet e 25 prillit.
Palët nisën përplasjen si për rendin e ditës, ashtu edhe për rregulloren e brendshme të funksionimit të komisionit.
Kryetarja e komisionit, demokratja Jorida Tabaku kërkoi që rregullorja të miratohej fill pas konstituimit të komisionit. Por, socialistët thanë se nuk ishin njohur me rregulloren dhe kërkuan kohë për miratimin e saj.
Opozita akuzoi socialistët se po kërkojnë që të zvarrisin punën e komisionit hetimor për të mbrojtur aferën, sipas tyre, korruptive me koncesionin e inceneratorëve.
Përplasja u përshkallëzua deri në personale mes kryetares demokrate të Komisionit, Jorida Tabaku dhe nënkryetares socialiste, Ermonela Felaj. Në një moment, deputetja socialiste i kërkoi koleges demokrate që t’ja shqiptojë korrekt mbiemrin, ndërsa përplasja vijoi me dhe pa mikrofon.
Partia Demokratike kërkoi ngritjen e komisionit hetimor për inceneratorët, duke e cilësuar koncesionin si kryekëput korruptiv që u merr miliona euro shqiptarëve. Por, PS thotë se koncesioni në fjalë ka zgjidhur problematikën e menaxhimit të mbetjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje