Politike

Samiti për klimën, Rama u drejtohet vendeve të mëdha: Mbani premtimet për financim, por jo përmes huave

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën e OKB mbi ndryshimet klimatike COP26, mbajtur në Glasgou, tha se Shqipëria nuk është një vend ndotës dhe se prodhimi vendas i energjisë mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vendet e mëdha janë shkaktare për ndryshimin e klimës dhe se këtë pasojë e vuajnë vendet e vogla si Shqipëria.

Ai kërkoi që vendet e mëdha të mbanin premtimin për financimin për furnizimin me energji të pastër elektrike, përmes grantesh dhe jo hua “që i zë vendet e vogla në grackën e ciklit të borxhit”.

“Ne nuk mund të rrimë pa bërë gjë e të presim nëse tregjet lëvizin me shpejtësi në drejtimin e duhur. Shpresoj që do t’i mbani premtimet për financim, për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; duke nisur nga modele të energjisë së pastër, siç është Shqipëria. Ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë vendet tona në grackën e ciklit të borxhit, por përmes granteve që na fuqizojnë të investojmë. Dhe shpresoj që mbështetja nuk do të vazhdojë të nënkuptojë studime e strategji pa fund, ndikimi i të cilave është shumë herë më i ulët sesa kostoja që duhet për të paguar njerëzit nga vendet e pasura që i hartojnë ato”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë