Komunitet

Pse njerëzit me aftësi të kufizuara janë më të prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike

Lajmi se Ministrja izraelite Karine Elharrar nuk mund të merrte pjesë në samitin COP26 të hënën, sepse nuk futej dot në godinën që nuk ishte e aksesueshme për personat në karrige me rrota bëri bujë në të gjithë botën.

Për shumë njerëz me aftësi të kufizuara, ishte një reflektim i mënyrës se si ata shpesh ndihen të injoruar ose të lënë jashtë bisedave rreth ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu, sipas Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, personat me aftësi të kufizuara janë ndër ata që janë më të “ndikuar negativisht në rast urgjence” dhe këto emergjenca, nga zjarret e egra te përmbytjet ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta për shkak të krizës klimatike.

Pse njerëzit me aftësi të kufizuara janë kaq të prekur nga ndryshimet klimatike dhe çfarë mund të bëjmë për këtë?

Në korrik 2018, një valë e nxehtë goditi Montrealin, Kanada. Temperaturat u rritën në 35.5C për ditë të tëra. Spitalet u mbushën me ata që përjetuan efektet e të nxehtit dhe 61 njerëz vdiqën. Një e katërta e tyre ishin të prekur nga skizofrenia.

Sébastien Jodoin, një specialist i ndryshimeve klimatike nga Universiteti McGill, i cili studion marrëdhëniet midis të drejtave të njeriut, aftësisë së kufizuar dhe krizës klimatike thotë se shumë njerëz me skizofreni marrin ilaçe antipsikotike për të trajtuar simptomat e tyre. Kjo mund t’i bëjë pacientët më pak tolerantë ndaj nxehtësisë, duke rritur rrezikun e goditjes nga nxehtësia dhe dehidratimit të rëndë, të cilat mund të rezultojnë fatale.

Jodoin thotë se është mungesa e komunikimit midis autoriteteve dhe komuniteteve në rrezik që i përkeqëson këto situata.

“Njerëzit që jetojnë me skizofreni priren të kenë më pak rrjete sociale, ata mund të jenë më të varfër”.

Ndryshimet klimatike rrisin rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë, i cili ka të ngjarë të çojë në më shumë valë të nxehti dhe të nxisë zjarre. Një atmosferë e tillë gjithashtu i bën më të mundshme reshjet ekstreme dhe përmbytjet.

Jodoin thotë se ajo që ndodhi në Montreal është një pamje e asaj që do të vijë.

Në vitin 2019, Kalifornia u godit me një sërë ndërprerjesh energjie pasi kompanitë e ndërprenë atë për të parandaluar përhapjen e zjarreve. Gerald Niimi, nga Santa Rosa në Kaliforninë e Veriut, kishte jetuar me një sëmundje kronike të mushkërive për vite me radhë dhe përdorte një respirator oksigjeni për ta ndihmuar të merrte frymë.

Por kur u ndërpre energjia, respiratori ndaloi së funksionuari. Ai dhe gruaja e tij dolën nga shtëpia e tyre dhe kërkuan dëshpërimisht për një respirator por nuk gjetën. Niimi vdiq dy ditë më vonë.

Furnizuesi i energjisë Pacific Gas & Electric më vonë pranoi se nuk kishte njoftuar mijëra klientë, duke përfshirë qindra me probleme shëndetësore, përpara se të ndalonte energjinë.

Gjatë zjarreve, disa banorë të Kalifornisë me aftësi të kufizuara kishin vështirësi të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ata që mundën të shpëtonin gjetën se shumë nga qendrat e urgjencës që ofronin një hapësirë të sigurt, nuk ishin të aksesueshme.

Këtë verë, 12 banorë të shtëpive të përkujdesjes për personat me aftësi të kufizuara në qytetin Sinzig, në Gjermani, vdiqën nga përmbytjet e papritura pasi ata nuk kishin mundur të evakuoheshin.

Charles Ëilliams, shkencëtar dhe studiues në Universitetin e Bristolit, ka atrofi muskulare kurrizore (SMA).

“Si përdorues i karriges me rrota, nuk do të mund të futesha në një gomone për t’u evakuuar në një rast të tillë”, thotë ai.

Histori të ngjashme u shfaqën pasi Uragani Katrina goditi New Orleans në 2005, duke shkaktuar përmbytje të rënda. Një raport, nga Këshilli Kombëtar për Aftësitë e Kufizuara në Amerikë, zbuloi se personat me aftësi të kufizuara kishin vështirësitë më të mëdha për t’u evakuuar.

Shumica e autobusëve të evakuimit nuk kishin një mënyrë për të hipur njerëzit me karrige me rrota dhe njerëzit me mungesë shikimi dhe dëgjimi nuk ishin në gjendje të merrnin informacione për sigurinë lokale.

Fatkeqësitë e lidhura me motin, si Uragani Katrina, janë pesëfishuar gjatë 50 viteve të fundit. Pra, çfarë duhet të ndodhë për të mbështetur më mirë personat me aftësi të kufizuara?

Andy Greene, person me aftësi të kufizuara beson se personat me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen më shumë në diskutimet për ndryshimet klimatike, veçanërisht kur futen ligje të reja.

Termi “eko-aftësi” po përdoret tani për të përshkruar një lloj diskriminimi. Ai i referohet dështimit të vendimmarrësve dhe aktivistëve për të konsideruar se disa veprime mjedisore e bëjnë jetën më të vështirë për personat me aftësi të kufizuara.

Në COP26 do të flitet edhe për lidhjen midis këtyre të dyjave ku do të shqyrtohen dizajne gjithëpërfshirëse për qytetet rezistente ndaj klimës si dhe do të flasin për ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e personave me aftësi të kufizuara.

Jodoin thotë se qeveritë shpesh nuk mendojnë për “kërkesat specifike të njerëzve me aftësi të kufizuara” por ai e sheh COP26 si “një mundësi për të nxitur të drejtat e aftësisë së kufizuar”.

Gjithsesi, ai thotë se deri tani ka pasur një injorim total për këtë temë dhe duke qenë se tani do të jetë pjesë e agjendës së Samitit, mund të bëhet diçka, të ndryshojë diçka.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë