Mbyllet pas më shumë se dy vitesh saga e zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit 2019, të cilat opozita i bojkotoi. Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesave që pretendeonin jo kushtetuetshmëri të zgjedhjeve, kërkesa këto të bëra Voltana Ademi si kryetare e shoqatës së bashkive dhe të mbështetura fuqimisht nga presidenti Ilir Meta dhe partitë opozitare.
Pas shqyrtimit të padisë së bërë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, drejtuar adinistrimit të opinionit të Komisionit të Venecias dhe dëgjimit të palëve dy ditë më parë, Kushtetuesja vendosi që të rrëzonte ankesën, duke njohur si të ligjshëm procesin.
Kjo do të thotë se zgjedhjet lokale 2019, pavarësisht se opozita, PD-LSI i bojkotoi, janë të ligjshme dhe se nuk do të ketë proces të parakohshëm.
Gjashtë bashki janë ende pa kryetar, dhe mazhoranca nga ana e saj është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.
Presidenti Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte 30 qershorin, por me vendimin e fundit të Kushtetueses, kreu i shtetit mund të ndryshojë qëndrim.
Pas opinionit final të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të para dy viteve, Gjykata Kushtetuese u mblodh më 2 nëntor në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.
Më herët, Komisioni i Venecias u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë ato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje