Politike

PD: Qeveria po kërkon 200 mln euro të tjera borxh

Partia Demokratike akuzon Qeverinë se po kërkon 200 milionë euro të tjera borxh, përmes futjes së një akti për një shtesë në Eurobondin e miratuar në seancën e së hënës nga Kuvendi.

Sipas deputetes Jorida Tabaku, vlera e Eurobondit u përcaktua 500 milionë euro, ndërsa akti normativ e rrit me 200 milionë euro te tjera.

“Është një shkelje e rregullores së Parlamentit dhe është një mungesë serioziteti nga ana e Ministrisë së Financave. Kur u diskutua këtu Eurobondi, në mënyrë specifike e pyetëm këtu Ministren e Financave se sa do të jetë vlera e Eurobondit. Nga 500 deri në 700 është lojë kungulleshkash i thamë. U përcaktua dhe miratuam një dokument. E miratoi Kuvendi, kaluam një Eurobond. Para tre ditësh e pyeta Ministren e Financave, sa është vlera e mbështetjes për sektorin e energjisë? Ministrja e Financave më tha, kemi miratuar 80 milionë euro. I thash se Kryeministri është angazhuar për 200 milion euro kredi sovrane. Ku e ke? Është i mjaftueshëm më tha, dhe po citoj fjalët e ministres. “Është i mjaftueshëm dhe specialistët e sektorit kanë bërë një analizë”, tha ministrja dhe nuk duhet më shumë se kaq”, u shpreh në Komisionin e Ekonomisë, deputetja Jorida Tabaku.

Tabaku akuzon se për ta miratuar aktin po veprohet me urgjencë.

“Urgjencë për ta përfshirë në kalendar, unë nuk shoh. Është e nevojshme që ta lexojmë me qetësi. Unë tani e mora përpara këtë akt. Është e nevojshme ta lexojmë me qetësi dhe ta diskutojmë duke mbajtur të njëjtin parim që kemi mbajtur për kalendarin e buxhetit deri më sot. Siç është diskutuar bashkërisht kalendari dhe kanë kontribuar të gjithë”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë